Lidhje

SHBA premton reagim të sinqertë ndaj kritikave për të drejtat e njeriut


Vitet e fundit, ankesat ndaj vetë Shteteve të Bashkuara lidhur me trajtimin e të dyshuarve për terrorizëm kanë hedhur hije mbi raportet e Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut.

Grupe të të dejtave të njeriut dhe disa qeveri të huaja e kanë kritikuar Uashingtonin mes të tjerash për mbajtjen në paraburgim pa gjyq të një numri personash në bazën Guantanamo si dhe për përdorimin e teknikave të forcës për marrjen në pyetje.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, drejtori ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch me qender në Nju Jork, Keneth Roth, tha se këto praktika e kanë dobësuar autoritetin moral të Shteteve të Bashkuara në çështjen e të drejtave të njeriut.

Gjithmonë kemi patur probleme për përdorim standartesh të dyfishta në çështjen e të drejtave të njeriut. Si rezultat i problemit të thellë të kredibilitetit të administratës Bush, çështja e të drejtave të njeriut ka humbur një partner të rëndësishëm sepse kjo administratë nuk mund të mbrojë ato të drejta të njeriut që ajo vetë i shkel në luftën kundër terrorizmit.

Në konferencën e shtypit gjatë publikimit të raportit, vetë Sekretarja e Shtetit Kondoliza Rajs aludoi për këtë çështje duke thënë se Shtetet e Bashkuara e pranojnë se puna e tyre në çështjen e të drejtave të njeriut nuk është e pakritikueshme.

Ne nuk e publikojmë raportin me mendimin se jemi të përkryer, por në të kundërtën se e dimë që jemi thellësisht të papërsosur si të gjitha qëniet njerëzore dhe përpjekjet që ata bëjnë. Sistemi ynë demokratik i qeverisjes është i përgjegjshëm por jo i pagabueshëm, tha zonja Rajs.

Raporti jep një tabllo të përzierë - nga njëra anë me prirje shpresëdhënëse por nga ana tjetër me realitete tronditëse të të drejtave të njeriut në botë.

Në anën pozitive raporti thekson përpjekjet për demokraci me zgjedhjet në Liberi, Haiti, Indonezi dhe Republikën demokratike të Kongos, si dhe përparimet e në disa vende përfshirë Marokun, Ukrainën dhe Kirgistanin.

Raporti kritikon ndërkohë Korenë e Veriut, Birmaninë, Iranin, Zimbabvenë, Bjellorusinë dhe Kubën. (kh*)

XS
SM
MD
LG