Lidhje

Gjeneral Petreus: Veprimet ushtarake janë të domosdoshme për sigurinë në Irak


Komandanti i ri i forcave amerikane në Irak, Gjeneral David Petreus, thotë se thjesht prania ushtarake nuk mund t’i japë fund dhunës në Irak. Gjeneral Petreus i bëri komentet sot, në konferencën e tij të parë për shtyp, që nga marrja e komandës muajin e kaluar. Komentet u bënë në Zonën e Gjelbër, e cila ruhet me masa të rrepta sigurie.

Gjeneral Petreus tha se veprimet ushtarake janë të domosdoshme për të rritur sigurinë në Irak, por kjo nuk është zgjidhja për t’i dhënë fund gjakderdhjes. Ai tha se është i nevojshëm një aspekt politik në zgjidhjen e situatës dhe se një ditë do të duhet që në bisedime të përfshihet edhe ndonjë nga grupet militante.

Ai i klasifikoi kryengritësit në tre kategori: al-Kaida në Irak, militantë sektarë dhe kriminelë te dhunshëm dhe shtoi se të gjithë ata përpiqen ta minojnë operacionin e sigurisë në Bagdad, duke nxitur më tepër dhunë mes arabëve suni dhe shiitë. Ai tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara shprehin keqardhje për shpërthimet vetvrasëse dhe sulmet kundër peligrinëve shiitë.

Më shumë se 150 njerëz janë vrarë gjatë sulmeve të tre ditëve të fundit, ndërkohë që pelegrinët shiitë shkojnë në Karbala në jug të Bagdatit, për të marrë pjesë në një rit fetar.//lk

XS
SM
MD
LG