Lidhje

Shqipëri: Përkujtohet 120 vjetori i shkollës së parë shqipe


Sistemi shkollor i Shqipërisë përkujtoi sot 120 vjetorin e hapjes së shkollës së parë në gjuhën shqipe me një mori veprimtarish kulturore. Ministria e Arsimit kishte organizuar “Javën e Arsimit" me koncerte, ekspozita pikture dhe konkurse në pothuaj gjithë shkollat e vendit.

Qeveria miratoi pikërisht sot një projekt-ligj për arsimin e lartë, i cili u debatua për më shumë se një vit në qarqet akademike e pedagogjike të vendit. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, tha se 7 marsi është një ditë e veçantë në historinë e vendit, i cili krijoi një traditë arsimore me sakrifica dhe vështirësi të mëdha.

Ai tha në një përshëndetje të tij me këtë rast se shkollat dhe arsimi janë për qeverinë një përparësi kryesore, ku janë përqëndruar në një masë të madhe edhe investimet publike. Zoti Pollo tha se investimet dhe reformat janë në vazhdim dhe se nevojitet bashkëpunimi i të gjitha palëve, të mësuesve, të nxënësve, të familjes, të shoqërisë në përgjithësi, të pushtetit vendor. Por kjo është gjithashtu edhe një datë për të rindezur debatet mbi problemet e arsimit shqiptar.

Opozita shprehu rezervat e saj për mnëyrën sesi po ecin reformat arsimore. Në një deklaratë të publikuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim shprehet shqetësimi për cilësinë e dobët të reformave në arsimin shqiptar, dhe vonesën e rezultateve të dukshme të kësaj reforme.

Opozita mendon se kanë munguar investimet publike per shkolla te reja e institucione arsimore moderne, ndërsa mësimdhënia ka pësuar deformime serioze. Sipas të majtëve, vecanërisht arsimi i lartë ka paqartësi mbi zbatimin e standarteve ndërkombëtare.

Pavarësisht nga diskutimet dhe premtimet e ndryshme mbi përmirësimin e sistemit arsimor, 7 marsi gjithmonë është në Shqipëri një rast i mirë për nxënësit e të gjithë brezave që të shprehin respektin dhe mirënjohjen ndaj mësuesve të tyre.//lk

XS
SM
MD
LG