Lidhje

Diskutim mbi statusin e Kosovës dhe propozimin Ahtisari


Grupi i çështjeve shqiptare në kongresin amerikan, me bashkë-kryetarë, kongresmenin demokrat Eliot Engel dhe atë republikan, Mark Kirk, kishte ftuar në takim Soren Jesen Petersen, ish të dërguarin e posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, Dr. Paul Williams, profesor në Universitetin Amerikan si dhe drejtorin ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Avni Mustafaj.

Kongresmeni Engel përsëriti qëndrimin e tij në mbështetje të pavarësisë së Kosovës. Por ai theksoi se pas pavarësisë fillon puna e vështirë dhe pjesë e kësaj pune kaq të rëndësishme lidhet me Serbisë.

“U kam thënë shumë zyrtarëve serbe se, ndërsa është e kuptueshme që ata nuk mund të pranojnë publikisht pavarësinë e Kosovës, unë mendoj se në fund të fundit pavarësia e Kosovës e çliron Serbinë dhe e lejon atë të ecë përpara në çështje të rëndësishme për atë vend, si për shembull anëtarësimi në Bashkimin Evroipian. Është e rëndësishme që Serbia të mirëpritet përsëri në komunitetin ndërkombëtar. Që të mbështesësh pavarësinë e Kosovës nuk do të thotë se je armik i Serbisë, përkundrazi një mik i Kosovës mund të jetë edhe mik i Serbisë."

Ish i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, Jesen Petersen e vuri theksin në tre fusha, ku nevojitet kalimi i pushtetit tek autoritetet lokale, që po pengohet si pasojë e rezolutës 1244 dhe që mund të arrihet vetëm kur të qartësohet statusi i Kosovës. Zoti Petersen i identifikoi këto 3 fusha si shtetin juridik, ekonominë dhe shoqërinë shumë etnike.

“Pa një status të qartë të Kosovës, serbët e Kosovës do të vazhdojnë të jenë të shqetësuar rreth së ardhmes së tyre dhe si rezultat do të ngurojnë të ndërmarrin ndonjë hap që do të shikohej si pranim i autoritetit të Prishtinës, ndërkohë që shqiptarët e Kosovës do të vazhdojnë të jenë të shqetësuar rreth kthimit në të kaluarën.”

Zoti Petersen përshëndeti propozimin e kryenegociatorit Ahtisari në trajtimin e çështjes së pakicave në Kosovës, megjithëse ai theksoi se propozimi nuk qartëson bashkë-ekzistencën e popullatës shqiptare të Kosovës me popullatat pakicë, veçanërisht pakicën serbe. Ai tha se tani nevojitet marrja e një vendimi për statusin e Kosovës në mënyrë që të ecet përpara. Vonesat, tha ai, do të shkaktonin përçarje në komunitetin ndërkombëtar dhe në komunitetin evropian.

Drejtori ekzekutiv i Grupit për ligjin ndërkombëtar dhe politikën publike, Dr. Poll Uilliams, theksoi rëndësinë që propozimi Ahtisari të mos shikohet si një marrëveshje e përkohshme paqeje drejt statusit final të Kosovës. Në fakt, ai e cilësoi marrëveshjen e paqes si ADN-në e shtetit të ardhshëm të Kosovës.

Profesor Williams tha se propozimi Ahtisari ka një numër të metash, të cilat duhet të qartësohen para se ai t’i paraqitet Këshillit të Sigurimit në mënyrë që Kosova të funksionojë si duhet në të ardhmen.

“Në mes të komunitetit ndërkombëtar ekziston një farë ndjenje se misioni është arritur e përfunduar, se me statusin përfundimtar, me pranimin në Kombet e Bashkuara, komuniteti ndërkombëtar e ka zgjidhur çështjen e Kosovës dhe se tani është koha që të vazhdohet me çështje të tjera. Mendoj se do të nevojitet angazhimi i vazhdueshëm i Shteteve të Bashkuara, ndërsa Kosova fillon zbatimin e statusit të saj të ri si shtet i pavarur.”

Edhe kongresmeni Engel shfaqi shpresën që në të ardhmen Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm në çështjen e Kosovës. Ai pohoi se zyrtarë të administratës së presidentit Bush besojnë se lidhur me Kosovën, ekziston vetëm një drejtim për të ecur përpara dhe ajo është rruga drejt pavarësisë.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Avni Mustafaj, tha se të gjithë shqiptarët në vendet fqinje të Kosovës dhe në mbarë botën po ndjekin me kujdes procesin e statusit përfundimtar të Kosovës. Ai shprehu angazhimin e këshillit që ai drejton që Kosova të bëhet një vend modern demokratik.

“Ne kërkojmë që, ndërsa propozimi Ahtisari bën të qarta të gjitha kushtet paraprake për një shtet të pavarur, kjo nuk është e mjaftueshme dhe se vetë propozimi duhet ta bëjë fare të qartë se Kosova është një shtet i pavarur dhe se nuk mund të ketë një ndarje të Kosovës, ndërsa i gjithë rajoni i Ballkanit integrohet në Evropën moderne.”

Megjithëse gjatë vitit të fundit, e sidomos që prej publikimit të propozimit të zotit Ahtisari, është folur shumë rreth statusit përfundimtar të Kosovës, tani duket se është koha të shikohet se si do të veprojë komuniteti ndërkombëtar për sa i përket kohë zgjatjes deri në dhënien e statusit dhe vetë natyrës së statusit që do të gëzojë Kosova. //ze//

XS
SM
MD
LG