Lidhje

Analistë të Institutit amerikan të Paqes diskutojnë çështjen e Kosovës


Analistë në Institutin e Paqes, me seli në Uashington, paralajmërojnë se vonesa e një vendimi mbi statusin përfundimtar të Kosovës, krijon kushte që forca të interesuara të nxisin dhunë. Autorët e një analize dalin në përfundimin se në rast të një vonese të shkaktuar nga përpjekjet e Serbisë, ngathtësia e Bashkimit Evropian, apo vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurimit, vetëm njohja e shpejtë e pavarësisë së Kosovës nga Uashingtoni së bashku me qeveri të tjera mund ta pengojë përkeqësimin e pakontrollueshëm të gjendjes.

Tre analistë të Institutit të Paqes thonë se sa më shumë vonohet marrja e vendimit mbi statusin e Kosovës, aq më shumë krijohen kushtet për paqendrueshmëri.

Daniel Serwer, Ylli Bajraktari dhe Christina Parajon shkruajnë se nëse nuk merret një vendim para se Shtetet e Bashkuara të dorëzojnë kryesinë e radhës në Këshillit të Sigurimit të OKB-së në maj, padurimi i shqiptarëve mund të krijojë kushte të rrezikshme për dhunë.

Duke i bërë një përshkrim gjendjes dhe faktorëve të dhunës, analistët e Institutit thonë se pasiguria është gjithashtu një faktor që mund të çojë në dhunë. Ata vlerësojnë se pasiguria buron tek parimet udhëheqëse të Grupit të Kontaktit në lidhje me statusin përfundimtar dhe marrëveshjet mbi qeverisjen, sidomos në zonat e banuara nga serbët. Mungesa e zgjidhjes së qartë të çështjeve të ndryshme do të nxiste përpjekjet e radikalëve në Prishtinë dhe Beograd.

Ndër faktorët që do të krijonin vonesë dhe pasiguri, analistët përmendin një veto të mundshme ruse në Këshillin e Sigurimit dhe mundësinë që Bashkimi Evropian të ndahet sa i përket njohjes së Kosovës si shtet dhe vendosjes së pranisë së tij civile, që do të pasonte UNMIK-un.

Analistët e Institutit të Paqes thonë se, edhe Shtetet e Bashkuara rrezikojnë të bëhen faktor vonese dhe pasigurie, pasi asnjëherë nuk kanë paraqitur një pozicion të qartë për statusin e Kosovës. “Edhe pse besohet gjerësisht se Amerika do të jetë ndër të parat që do të njohë një Kosovë të pavarur, Uashingtoni mund të mos e njohë Kosovën menjëherë, para se, për shembull, të preferojë të presë për një konsensus ndërmjet vendeve-anëtare të Bashkimit Evropian”. Kjo, shkruajnë ata, do të shkaktonte zemërim të madh tek shqiptarët dhe do të inkurajonte nacionalistët në Serbi. “Shtetet e Bashkuara duhet t’ua bëjnë posaçërisht të qartë partnerëve evropianë se do ta njohë edhe pa vendet e tjera pavarësinë e Kosovës, edhe po qe se Këshilli i Sigurimit nuk arrin të marrë vendim”.

Analiza përshkruan zhgënjimin dhe mungesën e një qendrimi të përbashkët të shqiptarëve në lidhje me propozimin. Ajo përmend gjithashtu vështirësitë që do të shkaktonin kërkesat e kredidhënësve ndërkombëtarë Prishtinës për vjeljen e asaj pjese të borxhit të ish-Jugosllavisë, sipas institucioneve kosovare, rreth 1,3 miliardë dollarë, që do ta paguanin sapo Beogradi të njihte pavarësinë e Kosovës; si dhe vështirësitë nga kthimi i qindra-mijëra refugjatëve kosovarë nga vende të ndryshme të Evropës, paratë e të cilëve janë një kontribut i konsiderueshëm në ekonominë kosovare.

Analistët thonë se plani i zotit Ahtisaari i jep Serbisë dy alternativa: ose të vazhdojnë tëkërkojnë ruajtjen e sovranitetit mbi Kosovën, ose të përpiqet për ndarjen e saj. Pasi përshkruan skenën politike në Serbi, analiza del në përfundimin se gjasat më të mëdha janë që në pushtet të vijnë forcat më radikale. “Beogradi shpreson të shkaktojë vonesa të tjera në mënyra të ndryshme, siç janë zvarritja e negociatave mbi qeverinë e tij të re, bllokimi i vendimit të Këshillit të Sigurimit përmes një vetoje të Rusisë apo duke e penguar Bashkimin Evropian të arrijë konsensusin ndërmjet të 27 vendeve-anëtare mbi statusin e ardhshëm të Kosovës, thonë analistët. Serbia do të përpiqet me forcë të bindë amerikanët se pavarësia e Kosovës do të sjellë radikalët në qeverinë e Beogradit dhe se një Kosovë e pavarur do të krijojë një shembull të padëshëruar”.

“Beogradi, thuhet më tej në analizë, nuk ka të ngjarë të shkaktojë haptas dhunë, por vazhdon të shpresojë që shqiptarët e Kosovës të humbasin durimin e t’i drejtohen dhunës. Kjo do t’ia zbehte legjitimitetin fushatës së Prishtinës për pavarësi dhe të shkaktojnë ngurim të mëtejshëm tek bashkësia ndërkombëtare. Kjo mund t’i jepte Serbisë justifikimin për ndërhyrje të hapët për të mbrojtur serbët, apo ndoshta UNMIK-un në veri të Kosovës”.

Analiza del në përfundimin se, meqenëse ka forca që punojnë për vonesa dhe paqartësi, që sjellin dhunë, ka ardhur koha për qartësi dhe gatishmëri për të marrë vendime.

Shënim: Komentet e kësaj analize nuk janë domosdoshmërisht të njejta me ato te Institutit të Paqes, institucion që nuk mbron politika të veçanta. Ato janë thjesht pikpamjet e autorëve. //iç//

XS
SM
MD
LG