Lidhje

Autoritetet greke të Qiprios rrëzojnë murin ndarës të Nikozisë


Qipriotët grekë rrëzuan murin që për dekada të tëra ka ndarë kryeqytetin e fundit të përçarë të Evropës.

Buldozerët të enjten në mbrëmje në qendër të pjesës së vjetër të kryeqytetit të Qipros, Nicosia, për të shembur murin që ndante zonën greke nga pjesa e kontrolluar nga turqit. Punimet e panjoftuara filluan gjatë natës. Prej mëse një viti, kur pala turke ndërtoi një urë që u jepte mundësi trupave të saj të patrullonin një rrugë pranë murit, të dyja palët kanë pasur mosmarrëveshje për rihapjen e pikëkalimit.

Ministri i Jashtëm Grek i Qipros, Jorgo Lilikas, i cili bëri një vizitë në këtë pikëkalim, tha për shtypin se trupat turke duhet të largohen nga zona: "Qeveria ka vendosur të sheshojë murin mbrojtës nga ana jonë. Kjo ishte e vetmja pikë mbrojtjeje që kishim në qytet, prandaj presim që pas këtij vendimi të njëanshëm të qeverisë, të merret vendimi për tërheqjen e ushtrisë turke nga zona, në mënyrë që pikëkalimi të hapet për qytetarët," tha ministri Lilikas.

Fjalëve të tij u bëri jehonë Presidenti grek i Qipros Tasos Papadhopullos, i cili tha se kalimi i njerëzve në pjesën veriore të pushtuar të qytetit nuk do të fillonte para forcat e armatosura të tërhiqen nga zona: "Sapo ata të bien dakord për të tërhequr trupat e tyre, ne do të heqim brenda disa orësh kontrollin e pikëkalimit, prandaj tani presim të shohim nëse trupat turke do të tërhiqen, dhe nëse kalimi do të hapet apo jo," tha Presidenti Papadhopullos.

Pesë pikëkalime të tjera janë hapur që nga prilli 2003, duke u dhënë mundësi qipriotëve grekë dhe turq të vizitojnë anën tjetër për herë të parë në 3 dekada. Që nga ajo kohë, të dyja palët janë angazhuar në bisedime me Forcën Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Qipro lidhur me masat që duheshin marrë për të hapur rrugën.

Zëdhënësi i Kombeve të Bashkuara Brian Kelli i tha Zërit të Amerikës se shpreson që hapi i marrë nga pala greke e Qipros do të çonte në hapjen e pikëkalimit: "Shembja e murit gjatë natës së mbrëmshme është një hap shumë i mirë në përpjekjet si për hapjen e pikëkalimit, ashtu edhe për krijimin e një atmosfere pozitive ku mund të gjendet një zgjidhje e përbashkët. Ne në Kombet e Bashkuara kemi bërë përgatitjet dhe jemi të gatshëm që, sapo palët të kenë rënë dakord mbi mënyrën se si do të vazhdojë procesi, të angazhohemi për sigurinë në zonë me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian," tha zoti Kelli.

Muajin e kaluar ushtria turke hoqi një urë këmbësorësh në anën e saj të rrugës Ledra, e cila lejonte kalimin e patrullave ushtarake. Në atë kohë, zyrtarët turq të Qipros thanë se prisnin që qipriotët grekë të përgjigjeshin ndaj këtij gjesti, duke shembur një mur mbrojtës në anën e tyre të rrugës Ledra.

Qiproja u nda pas pushtimit turk të vitit 1974, që pasoi një grusht shteti të frymëzuar nga Greqia. Kombet e Bashkuara vazhdojnë të punojnë me të dyja palët për t’i gjetur një zgjidhje ndarjes 33-vjeçare të ishullit. //ad//

XS
SM
MD
LG