Lidhje

Ahtisaari i vendosur t’u japë fund negociatave edhe pa ndonjë marrëveshje


Me takimin e fundit ndërmjet delegacionit serb dhe shqiptar të shtunën në Vjenë përfundon edhe misioni 13 mujor i të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari. Ashtu siç e kishte parashikuar ish-presidenti i Finlandës, të dyja palët nuk mundën të bien dakord mbi të ardhmen e Kosovës.

Shqiptarët e pranuan planin e Ahtisaarit, kurse serbët e hodhën poshtë. Me këmbënguljen e Rusisë, Ahtisaari i bëri ndryshime të lehta planit, por edhe ashtu ai u hodh poshtë nga udhëheqësit serbë.

Vladimir Matiç, ish-diplomat jugosllav që jep mësim në Universitetin Clemson në Shtetet e Bashkuara në politikën e jashtme, thotë se Serbia ka gabuar në negociatat e Vienës me përqendrimin tek çështja se kush do ta kontrollojë territorin e Kosovës dhe jo tek garantimi i të drejtave për serbët që jetojnë atje. “Për Serbinë, fati dhe pozita e serbëve në Kosovë, mbrojtja e monumenteve, kishave, qasja e tyre e kështu me radhë, duhet të kishin qenë në qendër të vëmendjes gjithë kohën. Tek njerëzit, dhe jo territori, duhej të ishte përqendruar vëmendja”.

Matiç thotë se Serbisë i nevojitet që problemi i Kosovës të zgjidhet dhe vetëm atëherë demokracia do të mund të hedhë rrënjë në Serbi.

Megjithatë, ministri i jashtëm serb, Vuk Drashkoviç, paralajmëroi dje se pavarësia e Kosovës do të shtonte fuqishëm ndjenjat nacionaliste në Serbi dhe shkaktonte paqendrueshmëri e trazira në mbarë Ballkanin.

Propozimi i Ahtisaarit do t’i paraqitet këtë muaj Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe votimi për të pritet nga muaji qershor.

Grupi i Kontaktit, i përbërë prej gjashtë vendesh me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara, Italisë, Francës, Gjermanisë, Britanisë dhe Rusisë, ka drejtuar negociatat e Vienës ndërmjet delegacioneve shqiptare e serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë përkrahur planin e Ahtisaarit, por pozicioni i Rusisë është më pak i qartë dhe Moska vazhdon të ngulë këmbë që propozimi mbi statusin duhet të jetë i pranueshëm si nga Kosova, ashtu edhe nga Serbia. //az//

XS
SM
MD
LG