Lidhje

Ekspozita e piktorit Xhesper Xhons


Punimet e njërit prej artistëve më të rëndësishëm bashkëkohorë amerikanë janë ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve në Washington. Ekspozita përqëndrohet në vitet e formimit artistik të 76-vjeçarit Jasper Johns.

Mes punimeve të ekspozuara ka edhe imazhe të njohura, por disa prej tyre duken vepra tipike abstrakte. Të tjera janë një kombinim i objekteve, simboleve, apo fjalëve, me ngjyrat: "Mund të thuhet se pikturat e Johnit janë midis rrymës abstrakte dhe asaj realiste"... thotë punonjësi i muzeut, Xhefri Weiss, i cili zgjodhi 84 punime për ekspozitën e titulluar “Jasper Johns: Alegoria e pikturës”.

Të gjitha punimet janë krijuar gjatë 10 vjetëve të parë të karrierës artistike të Johnit. "Dekada e parë është ajo që ne e mendojmë si periudha më e rëndësishme e punës së Xhonit. Janë vitet kur u krijua pjesa kryesore e punimeve të tij, që kanë patur ndikim të thellë në historinë e artit", thotë Weiss.

John ishte 25 vjeç kur filloi të reflektonte mbi përdorimin e ngjyrave dhe të imazhit në pikturë. Mënyra e tij e pikturimit të një objekti është vendosja e tij në të gjithë sipërfaqen e telajos, duke e bërë atë vetë objekt të telajos. Piktura dhe vizatime të tjera të objekteve janë thuajse plotësisht abstrakte. Disa prej tyre paraqesin vetëm fragmente të trupit. "Copat e allçisë mbi pëlhurë, janë pjesë të trupit që e paraqesin atë si objekt të dhunës".

Johns ekspoloron me artin e tij kuptimin e ngjyrave dhe të gjuhës mbi pëlhurë. Ai zbulon metoda mekanike të pikturimit, duke përdorur vizoren në funksionin e kompasit, duke e lëvizur atë mbi një bosht, për krijimin e një rrethi, ose harku. Në vitin 1962, ai paraqiti për herë të parë figurën njerëzore në veprën e tij. "Kur Johns e rikrijon figurën, duke e shtypur me duart dhe me faqen e tij pëlhurën, ai në fakt na paraqet një formë të re figuracioni në krijimin e artit. Kjo formë e re nuk ka të bëjë me vizatimin, apo përfaqësimin e objektit sipas metodës konvencionale. Ajo krijohet thjesht nëpërmjet shtypjes dhe printimit mbi pëlhurë".

Johns kombinon temat që ai i ka eksploruar në mënyrë individuale, në punime me përmasa të mëdha, si “Sipas Kujt” dhe “Zhytësi”. Kjo e fundit paraqet një objekt të pjesshëm, të krijuar pikërisht me një vizore rrotulluese, printin e duarve të tij dhe vizatimin e emrave me ngjyra. Piktura “Zhytësi” është një shembull i mirë i metodës së pikturimit, që i kombinon të gjitha motivet në vetvete. Ai na tregon me veprën e tij se këto motive merren të gjitha së bashku, duke krijuar në fund një pikturë të vetme, siç është “Diver”, apo “Zhytësi”.

Por vetë piktori Jasper Johns nuk e tregon arsyen përse ai kombinon objekte të ndryshme në pikturën e tij, madje ai nuk pranon aspak të flasë për veprën e tij. Ai ka teorinë që arti ka gjuhën e vet të shprehjes.//rd//

XS
SM
MD
LG