Lidhje

Al Gor në Londër për inaugurimin e një kanali të ri televiziv


Ish-nënpresidenti amerikan Al Gor gjeti edhe një herë rastin për të shprehur publikisht vendimin e tij për të mos kandiduar përsëri në zgjedhjet presidenciale të 2008-ës. Këtë herë Al Gor foli në Londër, ku ka shkuar për të marrë pjesë në inaugurimin e një kanali të ri televiziv, Karrënt TV, bashkëthemelues i të cilit ai është dhe që do të jetë televizioni i parë i krijuar nga të rinj të moshës 18 deri 34 vjeçare dhe me emisione me interes pikërisht për këtë grupmoshë. Një e treta e programeve të televizionit do të sigurohen nga audienca, që do të jenë brritanikë dhe irlandezë.

Nënpresidenti Gor, tha në ceremoninë e inaugurimit se Kurrënt TV do të jetë “televizioni për brezin e internetit”. Ky kanal televiziv, që transmetohet me satelit dhe me kabëll, ka patur mjaft sukses në Shtetet e Bashkuara, ku tashmë ka një audiencë prej 39 milionë shikuesish.

Mes programeve që do të transmetohen në kanalin e ri televiziv, janë materiale që nga zbulimet më të fundit në teknologji, modë, muzikë, mbi personazhe nga bota e artit, e deri për cështjet më të rëndësishme të politikës, financave dhe mjedisit.

Ish-nënpresidenti Gor vitet e fundit i është kushtuar çështjes së mbrojtjes së mjedisit dhe ai është edhe bashkautor i filmit “ An inconvenient truth”, “Një e vërtetë e papëlqyeshme” që paralajmëron për ndikimet katastrofike të ngrohjes globale. Filmi ishte fitues Çmimit Oskar në gjininë e dokumentarit.//lk

XS
SM
MD
LG