Lidhje

Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në Phenian


Kryeinspektori i Kombeve të Bashkuara për energjinë bërthamore ndodhet në Korenë e Veriut për të biseduar mbi mënyrat sesi kjo agjenci mund të ndihmojë Phenianin për t'i dhënë fund programit të tij bërthamor.

Duke folur me gazetarët pasi mbrriti sot në Phenian, Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, Mohamed ElBaradei, tha se shpreson që rezultati i vizitës së tij dy ditore të jetë pozitiv.

Zoti ElBaradei do të përpiqet të krijojë kushtet për kthimin në Korenë e Veriut të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore, 4 vjet pasi ata u larguan. Inspektorët do të verifikojnë nëse Koreja e Veriut ka përmbushur zotimin e saj për të mbyllur deri në mes të prillit reaktorin e saj bërthamor në bazë të marrëveshjes 6-palëshe, e cila u arrit muajin e kaluar. Si shkëmbim, Phenianit do t'i jepet karburant për djegie dhe do t'i bëhen lëshime diplomatike.

ZIGZAKET E MAREDHENIEVE ME KORENE E VERIUT

Koreja e Veriut i dëboi inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore në dhjetor të vitit 2002. Tani, më tepër se 4 vjet më pas, inspektorët pritet të shkojnë atje përsëri së shpjeti.

Kthimi i inspektorëve për programin bërthamor të Koresë së Veriut është një element i rëndësishëm i marrëveshjes së 13 shkurtit që u arrit në diskutimet 6-palëshe për këtë çështje. Marrëveshja i bën thirrje Phenianit të ndalë prodhimin dhe përpunimin e plutoniumit në uzinën Jongbjon, brenda 60 ditësh pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe për t’i lejuar inspektorët e Agjencisë Bërthamore të vëzhgojnë dhe verifikojnë veprimtarinë bërthamore të Koresë së Veriut, në shkëmbim për 50 mijë ton karburant.

David Kej, ish-inspektor i armëve bërthamore të Agjencisë Ndërkombëtare, thotë se synimi i El-Baradeit do të jetë negocimi i përgjegjësive konkrete të inspektorëve në Korenë e Veriut. “Mohamed Al-Baradeit, në emër të Agjencisë Ndërkombëtare Bërthamore do t’i duhet të gjykojë nëse koreanoveriorët duan t’i pranojnë kërkesat për kontrollin e veprimtarisë bërthamore. Besoj se ky do të jetë fillimi i disa negociatave të vështira. Nga njëra anë, Agjencia Bërthamore do të kërkojë hyrjen e inspektorëve, për të verifikuar nëse Koreja e Veriut e vazhdon prodhimin dhe përpunimin e plutoniumit dhe nëse Pheniani do ta pranojë këtë kërkesë”.

Ekspertët thonë se ka dy mënyra për prodhimin e materialit të zbërthyeshëm për armë bërthamore. Njëra është prodhimi i plutoniumit dhe tjetra është nëpërmjet procesit të pasurimit të uraniumit.

David Ollbrajt, president i Institutit të Shkencës dhe Sigurisë Bërthamore, një organizatë private që zhvillon kërkime se cilat vende kanë armë bërthamore, thotë se ka një sasi të konsiderueshme të dhënash për uzinën në Jongbjong të prodhimit të plutoniumit në Korenë e Veriut.

Por ndërsa ka informacion me vlerë lidhur me kompleksin e prodhimit të plutoniumit në Korenë e Veriut, ekspertët thonë se nuk ka shumë informacion lidhur me programin e pasurimit të uraniumit të këtij vendi, madje shtrohen pyetje edhe nëse ka ekzistuar ai ndonjëherë.

Dihet që Koreja e Veriut ka marrë teknologji nga Pakistani për një program të tillë. Në kujtimet e tij, udhëheqësi pakistanez Pervez Musharraf thotë se Khan, shkencëtari që drejtoi përpjekjet pakistaneze për prodhimin e bombës atomike, transferoi në Korenë e Veriut rreth 20 centrifuga, komponentë jetikë për pasurimin e uraniumit, si dhe trajnim mbi teknologjinë centrifugale.

Në tetor të vitit 2002, administrata e presidentit Bush e ballafaqoi Phenianin me këtë informacion. Sipas zyrtarëve amerikanë, Pheniani fillimisht e pranoi, por më pas mohoi të kishte një program për pasurimin e uraniumit. Në publik, Koreja e Veriut i ka hedhur poshtë akuzat për angazhim në këtë lloj aktiviteti.

Në një raport të CIA-s të asaj kohe thuhej se zyrtarët e agjencisë së zbulimit, ishin të mendimit, se Koreja e Veriut po “ndërtonte një uzinë të aftë për të prodhuar sasi të mjaftueshme uraniumi për prodhimin e dy a më tepër armëve bërthmore në vit, nëse do të operonte me potecial të plotë, që mund të realizohej brenda 5 vjetësh.”

Por analisti Ollbrajt thotë se ky informacion ishte me të meta. “Në vitin 2002, kur komuniteti i zbulimit në Shtetet e Bashkuara e bëri publik këtë vlerësim, mendoj se ai ishte zmadhuar. Unë personalisht besoj se ajo që dëgjuam në publik ishte një vlerësim me të meta, që bazohej në informacione të pamjaftueshme.

Zoti Olbrajt dhe të tjerë thonë se marrëdhëniet mes Phenainit dhe Uashingtonit në atë kohë u keqësuan. Bisedimet mes të dy palëve morën fund. Dërgesat me karburant për në Korenë e Veriut ndaluan. Si shpagim, Koreja e Verut dëboi inspektorët e armëve bërthamore, braktisi traktatin për mospërhapjen e armëve dhe rifilloi prodhimin e uraniumit, që çoi në provën bërthamore tetorin e kaluar.

Por, më 27 shkurt të këtij viti, eksperti amerikan i zbulimit për Korenë e Veriut, Xhozef de Trani, raportoi në një sesion me pyetje –pëgjigje në Kongres dhe paraqiti një pozicion më të zbulur të qeverisë amerikane lidhur me programin e pasurimit të uraniumit që mendohet të ketë Pheniani.

Ish-nënsekretari amerikan i Shtetit Arnold Kanter, thotë se e vërteta për Korenë e Veriut do të mësohet së shpejti. “Kjo çështje do të sqarohet së shpejti, të paktën deri në një farë mase, në fazën tjetër të negociatave, kur koreanoveriorët do të jenë të detyruar të bëjnë një deklarim të plotë lidhur me aktivitetin e tyre bërthamor”.

Ndërkohë, ekspertët parashikojnë se do të zhvillohen diskutime të vështira, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera përpiqen ta bindin Korenë e Veriut t’i japë fund një herë e mirë programit të armëve bërthamore. //az//

XS
SM
MD
LG