Lidhje

Shqipëri: KQZ shpall të majtën fituese të zgjedhjeve në Durrës


K.Q.Z. miratoi sot dokumentacionin e votimeve të Durrësit që shpall fitues kandidatin e PS në këtë qytet. Komisioni shqyrtoi ankesat e kandidatit demokrat, sipas të cilit, ekzistonte një numër shumë i madh fletë votimi të pavlefshme, dhe se dokumentacioni kishte parregullsi në disa qendra votimi.

Komisionit Qendror iu deshën tre seanca mbledhjesh për të arritur më në fund në një vendim unanim të gjithë komisionerëve për të aprovuar tabelën e rezultateve që erdhi nga Durrësi, të cilat nxirrnin fitues kandidatin e Partisë Socialiste, Vangjush Dako, për bashkinë e qytetit të dytë më të madh të vendit.

Partia Socialiste e opozitës pretendoi qe në fillim se kishte fituar në Durrës dhe në Elbasan, por rivalët demokratë paraqitën ankesa në KQZ. Një numër jo i vogël ankesash kanë shkuar në KQZ nga dy koalicionet e mëdha maxhorancë dhe opozitë. Po sot KQZ shpalli fitues një kandidat të maxhorancës në një nga minibashkitë e kryeqytetit, pas ankesës së kandidates së opozitës.

PS ka shprehur shqetësim për vonesat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për nxjerrjen e rezultateve të zgjedhjeve vendore të 18 shkurtit. Por KQZ thotë se këto kritika janë të pabazuara, pasi janë vetë komisionerët partiakë që shkaktojnë parregullsitë, pastaj i sjellin dokumentat me vonesë, janë vetë partitë që sjellin një numër të madh ankesash që duhen shqyrtuar dhe pas kësaj i kërkojnë KQZ publikimin e një rezultati të shpejtë.

Kanë kaluar afro 3 javë që nga zgjedhjet e 18 shkurtit dhe ende KQZ e zhytur në analizimin e afro 300 ankesave, e ka të pamundur të shpallë një rezultat zyrtar të zgjedhjeve vendore.//ii

XS
SM
MD
LG