Lidhje

Ilaç i ri për format agresive të kancerit të gjirit


Gratë me një formë agresive të kancerit të përhapur të gjirit, për të cilat kurat e tjera kanë dështuar t’i ndihmojnë ato, siguruan dje një alternativë tjetër pas miratimit të një ilaçi të ri, megjithëse përfitimet e tij nuk janë të qarta.

Ilaçi Tykerb i prodhuar nga kompania Glakso Smith Kllajn është në formën e hapes dhe merret çdo ditë. Ky ilaç duhet të meret nga gratë, që u janë nënshtruar kurave me ilaçin intravenoz Herceptin dhe trajtimeve të mëparshme me kimioterapi.

Agjencia amerikane e Ushqimeve dhe Ilaçeve tha se e miratoi ilaçin Tykerb për t’u përdorur bashkë me mjekimin Xeloda dhe kimioterapi. Kompania Glakso Smith Kllajn tha se ky ilaç do të jetë në dispozicion të pacientëve pas dy javësh dhe kura kushton 2 mijë e 900 dollarë në muaj.

Rezultatet fillestare të një studimi, që u njoftua vitin e kaluar, tregonin se Tykerb bashkë me ilaçin Xeloda parandalonin zhvillimin e tumorit me 8 muaj e gjysëm, ose 2 herë më shpejt se sa vetëm ilaçi Xeloda. Tykerb doli aq i sukseshëm, saqë studimi ndërkombëtar u ndërpre më parë dhe të gjithë pjesëmarrësve iu ofrua ilaçi.

Më vonë, kompania Glakso Smith Kllajn njoftoi se një analizë më pas e rezultateve të studimit tregoi se parandalimi i zhvillimit të tumorit vonohej me 7 muaj kur përdoreshin të dy ilaçet, krahasuar me një periudhë prej 5 muajsh kur përdorej vetëm ilaçi Xeloda.

Agjencia amerikane e Ushqimeve dhe Ilaçeve tha se është tepër herët të thuhet në se gratë që marrin ilaçet Tykerb dhe Xeloda do të jetonin më gjatë se sa gratë që marrin vetëm ilaçin Xeloda.//lk

XS
SM
MD
LG