Lidhje

Çeku: Ahtisari do të kërkojë pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit


Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, tha sot se kryenegociatori i Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të rekomandojë pavarësinë si status i ardhshëm i Kosovës kur t’ia paraqesë planin e tij Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili do të vendosë mbi të ardhmen e Kosovës.

Kryeministri Çeku tha në parlamentin me 120 vende në Prishtinë, se ish Presidenti i Finlandës, Marti Ahtisari, i cili ndërmjetësoi bisedimet mes shqiptarëve e serbëve për rreth një vit, do ta shoqërojë planin e tij me rekomandime, se si të zgjidhet statusi përfundimtar i Kosovës.

"Ne nuk e kemi parë planin, por Ahtisari na tha se do të propozojë pa hezitim, pavarësinë. Formula që ai do të propozojë është pavarësia e Kosovës, fillimisht e mbikqyrur nga bashkësia ndërkombëtare, - u tha Kryeministri Çeku ligjvënësve kosovarë.

Kryeministri Çeku tha gjithashtu se plani i zotit Ahtisari dhe rekomandimet e tij do t’u paraqiten vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit më 26 mars dhe në fillim të prillit i dërguari i OKB-së do të ftohet të japë argumente rreth planit të tij para organit më të lartë vendim-marrës të Kombeve të Bashkuara.

Serbia e ka hedhur poshtë planin e zotit Ahtisari, ndërsa udhëheqësit e shqiptarëve e kanë pranuar atë. Të dyja palët besojnë se ky plan hap rrugën për pavarësinë e Kosovës.

Përfaqësuesit e Prishtinës dhe të Beogradit refuzuan përsëri të ndryshonin qëndrimet e tyre gjatë bisedimeve të Vjenës fundjavën e kaluar. Plani Ahtisari nuk e përmend pavarësinë e Kosovës, por do të bënte të mundur krijimin e shtetit të mbikqyrur nga komuniteti ndërkombëtar, ndërkohë që Kosova do të kishte ushtrinë, flamurin, hymnin dhe kushtetutën e vet. Pakica serbe e Kosovës do të gëzonte të drejta të plota në qeverisjen lokale.

NATO-ja ka 16 mijë trupa në Kosovë, të cilat do të qëndrojnë aty për një farë kohe, pas zgjidhjes së statusit.//lk

XS
SM
MD
LG