Lidhje

Sfidat e sistemit gjyqësor në Kosovë


Një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, tha sot se një nga sfidat kryesore në të ardhmen në sistemin gjyqësor në Kosovë mbetet mbrojtja e dëshmitarëve dhe viktimave.

Drejtori i Departamentit të Drejtësisë Albert Moskoviç, tha se është thelbësore që në Kosovë të përmirësohet mbrojtja për dëshmitarët dhe viktimat. "Askush nuk mund të ndiqet pa dëshmitarë dhe këta dëshmitarë duhet të ndjehen mjaftueshëm të sigurtë për të ardhur dhe për të dëshmuar”, tha zoti Moskoviç duke thënë se është bërë përparim për këtë dhe tashmë funksionon një video link që mundëson marrjen e dëshmive nga vende të largëta dhe po kështu, mundëson fshehjen elektronike të identitetit të tyre.

Drejtori i Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut Albert Moskoviç, i cili është në largim e sipër nga kjo detyrë, për të marrë një detyrë tjetër në Azinë juglindore, tha sot në Prishtinë se dy nismat kryesore në punën e tij në Kosovë kanë qenë lufta kundër korrupsionit dhe hapja e një zyre të prokurorit të posaçëm.

Vetëm gjatë vitit 2006, 20 raste të korrupsionit janë sjellë para gjykatës dhe janë arrestuar 26 persona për raste që kanë të bëjnë me një gjykatës të korruptuar, mashtrime financiare në agjensitë qeveritare dhe ministri, mashtrim korporatash dhe cështje që kanë të bëjnë me mënyrën e veprimit të bankave. “Këto raste kanë të bëjnë me miliona euro, disa akuza janë bërë tashmë, ndërsa raste të tjera janë në faza të ndryshme të gjykimit. Këto raste janë shpesh raste të ndërlikuara që marrin kohë për tu hetuar dhe për tu gjykuar”, tha zoti Moskoviç.

Drejtori i Departamentit të Drejtësisë së UNMIK-ut Albert Moskoviç tha se zyra e prokurorit të posaçëm të Kosovës ka filluar punë tashmë dhe 4 prokurorë vendas punojnë së bashku me këshilltarë dhe mbikqyrës ndërkombëtarë për tu marrë me raste të ndjeshme.

Zoti Moskoviç përmendi si sfidë kryesore në të ardhmen, mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave. “Është thelbësore që në Kosovë të përmirësohet mbrojtja për dëshmitarët dhe viktimat. Askush nuk mund të ndiqet pa dëshmitarë dhe këta dëshmitarë duhet të ndjehen mjaftueshëm të sigurtë për të ardhur dhe për të dëshmuar”, tha zoti Moskoviç duke thënë se është bërë përparim për këtë dhe tashmë funksionon një video link që mundëson marrjen e dëshmive nga vende të largëta dhe po kështu, mundëson fshehjen elektronike të identitetit të tyre.

Zoti Moskoviç tha gjithashtu se një nga sfidat e tjera në të ardhmen është pagesa e përshtatshme për prokurorët, gjykatësit dhe ata që punojnë në sistemin gjyqësor, që sic tha ai, nuk bëhet tani në Kosovë. “Tani për tani, kjo nuk ndodh në Kosovë. Në fund të fundit, një system I mirë gjyqësor varet nga njerëz të aftë. Mendjet më të mira ligjore nuk do të shërbejnë në sistemin gjyqësor nëse pagesa për ta nuk është konkuruese”. Sistemi gjyqësor në Kosovë mbetet një nga cështjet më delicate, megjithë përparimet e bëra. Ai do të vazhdojë të jetë nën mbikqyrje ndërkombëtare edhe nga misioni i ri ndërkombëtar që pritet të vendoset në Kosovë pas zgjidhjes së statusit, megjithë kompetencat që u janë dhënë autoriteteve vendase. //rd//

XS
SM
MD
LG