Lidhje

Terroristi i dyshuar Kalid Sheik Mohamed merr përgjegjësinë për sulmet e 11 shtatorit


Terroristi i dyshuar Kalid Sheik Mohamed mori përgjegjësinë për sulmet e 11 shtatorit 2001 kundër Shteteve të Bashkuara dhe për dhjetra komplote të tjera terroriste.

Ky pranim i Mohamedit u bë publik në një tekst të publikuar mbrëmë vonë nga Departamenti i Mbrojtjes, pas një seance gjyqi ushtarak, që u zhvillua më 10 mars. Kalid Sheik Mohamed tha se është “përgjegjës për sulmet e 11 shtatorit 2001 nga A-ja tek Z-ja”, siç u shpreh ai.

Ai mori gjithashtu përgjegjësinë për vrasjen me prerje koke të gazetarit amerikan, Daniel Përll, i cili u rrëmbye dhe u vra në Karaçi të Pakistanit në vitin 2002. Pentagoni nuk i bëri publike komentet e Mohamedit rreth gazetarit Përll deri sot, pasi iu desh të njoftonte së pari familjen Përll.

Mohamed dyshohej për një kohë të gjatë se kishte vrarë gazetarin amerikan. Shtetasi pakistanez tha gjatë seancës së dëshmisë, se ishte zyrtar i lartë i një krahu ushtarak të Al-Qaidës dhe armik i Shteteve të Bashkuara. Megjithatë ai shprehu keqardhje për 3 mijë personat që u vranë në 11 shtator, mes të cilëve edhe fëmijë.

Ai pranoi gjithashtu se ishte implikuar në shpërthimin e vitit 1993 në Qendrën Botërore të Tregtisë në New York, si dhe në shpërthimin në një klub nate në Bali të Indonezisë në vitin 2002 ku u vranë më shumë se 200 njerëz. Ai mori përgjegjësinë për 31 raste të ndryshme sulmesh apo komplotesh, megjithëse jo të gjitha ato janë kryer.//lk

XS
SM
MD
LG