Lidhje

SHBA: Tregu i shtëpive mbetet i kërcënuar


Analistët thonë se rënia e çmimeve të bursës amerikane e ka burimin te nervozizmi i investitorëve, për shkak të vështirësive financiare të kompanive që ofrojnë kredi për blerje shtëpish sidomos kur kredi të tilla u janë ofruar njerëzve që nuk janë plotësisht në gjendje t’i shlyejnë. Këto shqetësime bënë që tregu i aksioneve të binte ndjeshëm ditët e fundit, rënia e dytë më e madhe në katër vjet. Për shkak të kushteve me të cilat i kanë marrë kreditë, pra me këste mujore jo fikse, shumë amerikanë do të ndodhen së shpejti përpara vështirësish financiare kur pagesat të rriten ndjeshëm.

Ekspertët thonë se me rritjen e interesave bankare dhe rënien e çmimeve të shtëpive, rreth 1 milion e gjysmë amerikanë mund të humbasin shtëpitë. Rick Sharga, ekspert në kompaninë RealtyTrac, e cila jep informacione mbi prirjet e tregut të banesave, thotë se që nga viti 2005, rastet kur banka detyrohet të konfiskojë shtëpinë për shkak të mospagimit të këstit, janë shtuar 42 përqind duke arritur pikën më të lartë.

"Për ata që kanë blerë shtëpi dhe që nuk paguajnë dot, shenjat janë shumë të këqia. Sepse vlerat e shtëpive në pjesën më të madhe të Amerikës kanë rënë. Pra shtëpia mund të mos ketë më çmimin që ke paguar kur e ke blerë."

Familja Folli është një prej shumë atyre që rrezikojnë të humbasin shtëpinë. Në fillim ata paguanin 1,700 dollarë si këst mujor por pastaj i morën bankës një kredi shtesë me përqindje të ulët por jo fikse për të paguar faturat e spitalit. Tani që interesat bankare janë rritur, thotë Marilu Folli, kësti i tyre mujor është dyfishuar.

"Po bëj plaçkat gati, po pres çdo minutë të dëgjoj lajmin e keq,” thotë zonja Folli.

Analistët shpjegojnë se gjatë lulëzimit të tregut të shtëpive mes viteve 2001 dhe 2006, kur interesat ishin të ulta, u trefishua sasia e kredive të marra nga njerëzit që nuk ishin plotësisht në gjendje t’i shlyenin ato. Ivy Zelman, që punon për bankën e investimeve Credit Suisse, thotë se në këto kushte, falimentimet ishin të pashmangëshme.

“Çmimet e shtëpive ishin në rritje, njerëzit ndjeheshin të lumtur, jeta ishte e mirë dhe shumë njerëz po fitonin me biznesin e shtëpive duke blerë she shitur".

Por kur tregu i shtëpive filloi të bjerë, kompanitë që u kishin dhënë kredi njerëzve të cilët nuk plotësonin kushtet, nisën ta ndjejnë peshën. Të martën, kompania e dytë më e madhe e këtij lloji, New Century Financial, mbeti pa para dhe deklaroi se nuk ishte më në gjendje të jepte kredi. Analisti Sharga thotë se si ajo do të ketë edhe të tjera.

"Ka patur 25 deri në 35 kompani që ose kanë falimentuar ose kanë njoftuar se presin të falimentojnë."

Si rrjedhojë, autoritetet federale pritet të kërkojnë forcimin e kritereve të huadhënies nga ana e bankave. Analistja Melody Hobson, thotë se një gjë e tillë mund të çojë në një rënie të mëtejshme të tregut të shtëpive.

"Natyrisht që kjo nuk do të jetë mirë për ekonominë. Këtë ekonomi deri tani e ka mbajtur tregu i shtëpive, njerëzit kanë marrë sidomos borxh nga bankat duke përdorur shtëpinë si kolateral. Por ky burim tani po shterron."

Ekonomistët thonë se rënia e tregut të shtëpive mund të çojë në humbje të vendeve të punës, duke i detyruar shumë amerikanë të pakësojnë shpenzimet dhe kjo, shtojnë analistët, mund ta çojë ekonominë amerikane në rënie serioze. //ii

XS
SM
MD
LG