Lidhje

Komisioneri Evropian Ren i kërkon Tiranës konsesus


Komisioneri i Bashkimit Europian për zgjerimin, Oli Rehn, deklaroi në Tiranë se reformimi i sistemit zgjedhor dhe zgjedhja e presidentit përbëjnë një shans të ri për forcat politike shqiptare që t'u tregojnë qytetarëve dhe vendeve perëndimore rritjen e bashkëpunimit midis tyre. Zoti Rehn tha se Shqipëria ka nevojë për një reformë zgjedhore bindëse dhe BE po mbështet edhe financiarisht, por bashkëpunimi duhet të ndrihet mes vetë partive politike.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Berisha, zoti Rehn tha se suksesi i Shqipërisë drejt BE kërkon reforma të mëtejshme, dhe konsensus për rregullat bazë të demokracisë, bashkëpunim të qëndrueshëm dhe kulturë demokratike. "Zgjedhja e presidentit në qershor do të jetë një shans tjetër për politikanët shqiptarë që t'u tregojnë qytetarëve shqiptarë dhe Bashkimit Europian se ato mund të bashkëpunojnë në cështje me interes të përbashkët dhe të publikut. rreforma zgjedhore është mëse e nevojshme. Regjistri i gjendjes civile duhet të jetë i besueshëm, po ashtu si edhe lista e votuesve që del prej saj. Komisioni Europian ka dhënë 3 milionë euro për të përmirësuar këtë regjistër" - tha zoti Rehn.

Zoti Rehn tha se këto reforma nuk bëhen për BE, por për të mirën e njerëzve, në mënyrë që vendi të bëhet tërheqës për investimet e huaja. Gjithashtu, sipas tij, nevojiten reforma në luftën kundër krimit, korrupsionit, dhe në sistemin gjyqësor. "Reforma në sistemin gjyqësor është themelore, sepse aty varet funksionimi i gjithë shoqërisë. Këtu ka njëfarë përparimi, por pritet më shumë nga drejtësia, në mënyrë që të fuqizohet lufta kundër krimit".

Ndërsa kryeministri Sali Berisha tha se maxhoranca ka shprehur gadishmërinë për bashkëpunim dhe mirëkuptim me opozitën për reformën zgjedhore. "Qeveria mbetet tërësisht e angazhuar dhe e përkushtuar për reformat. Ajo mirëpret çdo kontribut, çdo ofertë bashkëpunimi nga opozita dhe nga faktorë të tjerë të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare" - tha ai.

Zoti Berisha theksoi më tej se maxhoranca është e gatshme të zgjedhë një president konsensual. "Ne jemi plotësisht të përgatitur për të zgjedhur një president konsensual. President konsensual do të thotë jo imponim, jo i imponuar" - tha ai.

Gjatë vizitës në Tiranë, zoti Rehn u takua gjithashtu me Presidentin Alfred Moisiu, kryetarin e PS, Edi Rama, dhe kryetarin e LSI, Ilir Meta. Kjo është vizita e tij e dytë në Shqipëri, që me nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit. //rd//

XS
SM
MD
LG