Lidhje

Plani i Ahtisarit i dorëzohet Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së


Plani i të dërguarit të posaçëm, Marti Ahtisari, mbi të ardhmen e Kosovës iu dorëzua dje Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon.

Zoti Ban do t’i studiojë propozimet, që ia dorëzoi zëvendësi i të dërguarit Ahtisari, Albert Rohan, dhe do t’ia përcjellë Këshillit të Sigurimit.

Pasi negociatat në Vjenë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit përfunduan pa asnjë përparim, zoti Ahtisari tha se do të dorëzonte një kompromis realist.

Varianti fillestar i planit që ai paraqiti muajin e kaluar, parashikonte të drejtën e Kosovës për t’u vetëqeverisur dhe bërë marrëveshje ndërkombëtare, nën mbikqyrje ndërkombëtare civile dhe ushtarake për të ndihmuar në rajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Të dyja e palët e interpretuan këtë si pavarësi e nënkuptuar, e mbikqyrur nga bashkësia ndërkombëtare. Ndërkohë që Serbia e ka hedhur poshtë pa ndërprerje çdo nocion pavarësie, disa shqiptarë të Kosovës kanë demonstruar për vetëvendosje të menjëhershme.

Vetë i dërguari i Ahtisari nuk ka pranuar të komentojë mbi çështjen e pavarësisë, por është shprehur se, në raportin që iu dorëzua dje Sekretarit të përgjithshëm, do ta bënte tepër të qartë.

Varianti fillestar i planit, të cilit, zoti Ahtisari tha se do t’i bëheshin ndryshime konstruktive nga të dyja palët, trajtonte nevojat e një shoqërie shumetnike dhe parashikonte një decentralizim në shkallë të gjerë, duke u dhënë kështu serbëve kontroll të konsiderueshëm mbi çështjet e tyre.

Kjo temë u theksua dje nga Adminsitratori i Kombeve të Bashkuara për Kosovës, Joachim Ruker, i cili tha se serbët dhe komunitetet e tjera do të kishin të ardhme të mirë në bazë të propozimeve të zoti Ahtisari. “Një pjesë e rëndësishme e propozimeve ka të bëjë me sigurinë e serbëve të Kosovës e të komuniteteve të tjera dhe të ardhmen e tyre të begatë në Kosovë”, u tha serbëve dhe kroatëve në një takim në qytetin e Vërbocit. //az//

XS
SM
MD
LG