Lidhje

Forcat e Natos në Kosovë fillojnë manovrat rutinë


Ndërkohë që Këshilli i Sigurimit përgatitet për të diskutuar planin e Presidentit Ahtisari mbi statusin përfundimtar të Kosovës, forcat e Natos në Kosovë kanë filluar përgatitjet për manovra rutinë. Zyrtarët perëndimorë shqetësohen se padurimi i shumicës shqiptare të Kosovës dhe paralajmërimet e serbëve në veri për shkëputje mund ta zhysin Kosovën përsëri në trazira të dhunshme.

Aleanca thotë se manovrat nuk u ndërmorën “në përgjigje ose në përgatitje për ndonjë zhvillim aktual ose të mundshëm në Kosovë.” Aktualisht në Kosovë janë dislokuar rreth 16 mijë trupa të Natos, mes tyre edhe trupa amerikane, të cilat kontrollojnë sigurinë e përgjithshme. Këto trupa amerikane patrullojnë një zonë përreth një kishe ortodokse serbe dhe një varreze serbe në fshatrat Ropotovë dhe Ranilug në lindje të Kosovës. Douglas Earhart është komandant i trupave amerikane: "Mendoj se këtu ka shumë rreziqe. Por komuniteti ndërkombëtar është i angazhuar për të përmbushur misionin e tij. Secila palë i percepton ndryshe rreziqet. Unë e konsideroj Ballkanin si një pjesë të rëndësishme të Evropës dhe Evropën si një pjesë të rëndësishme të botës".

Zyrtarët perëndimorë shqetësohen se mos padurimi i shumicës shqiptare të Kosovës dhe paralajmërimet e serbëve në veri për shkëputje mund ta zhysin Kosovën përsëri në trazira të dhunshme, ndërkohë që ndërmjetësi i dërguar nga Kombet e Bashkuara Marti Ahtisari përgatitet t’i dorëzojë Këshillit të Sigurimit planin e tij për statusin përfundimtar të Kosovës.

Plani shtron terrenin që Kosova të bëhet një shtet i pavarur me mbikqyrje ndërkombëtare. Propozimi është pritur me protesta nga të dyja palët. Udhëheqës të shqiptarëve në Kosovë e kanë pranuar planin, megjithëse shumica e shqiptarëve janë të mendimit se nuk shprehet hapur për njohjen e pavarësisë. Serbia e hodhi poshtë planin, dhe vazhdon të këmbëngulë që Kosova të mbetet pjesë e saj.//rd//

XS
SM
MD
LG