Lidhje

Abramovic: Shfuqizimi i rezolutës 1244, me rëndësi thelbësore

  • Intervistoi Ikonomi

Morton Abramovic, ish ambasador amerikan në Turqi dhe studiues në Fondacionin Shekulli në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se shfuqizimi i rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit është me rëndësi thelbësore për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës. Kombet e Bashkuara, tha ai, nuk krijojnë vende të pavarura. Ato njohin vendet që shpallin pavarësinë e tyre dhe shfuqizimi i rezolutës 1244 krijon bazën juridike që ato ta bëjnë këtë, tha zoti Abramovic.

Zëri i Amerikës: Zoti Abramovic, a po shkojnë Shtetet e Bashkuara drejt një përplasjeje me Rusinë për çështjen e Kosovës?

Morton Abramovic: Sigurisht që situata është shumë e paqartë. Rusia ka deklaruar se kërkon një zgjidhje me të cilën të jenë dakord të dyja palët. Është e qartë se kjo është e pamundur. Rusia nuk ka thënë se do të verë veton, prandaj tani për tani dhe deri sa të mblidhet Këshilli i Sigurimit për këtë çështje, ne nuk do të mund ta dimë qendrimin e Rusisë. Ky mund të kthehet në një problem shumë serioz. Nuk e di se si do të veprojnë rusët, por instinkti më thotë se nëse i venë veton një rezolute në Këshillin e Sigurimit, ata do ta kuptojnë më në fund se do t’i bëjnë një shërbim të madh instabilitetit në rajon dhe do të zemëronin një pjesë të mirë të botës.

Zëri i Amerikës: Mendoni se është më vështirë që Shtetet e Bashkuara ta bindin Rusinë sot se sa ishte në vitin 1999?

Morton Abramovic: Rusia e sotme nuk është Rusia e Boris Jelcinit kur ajo ishte në vështirësi të mëdha ekonomike aq sa pranonte pothuajse çdo gjë që propozonte Perëndimi. Sot Rusia është një shtet shumë më i fuqishëm, ka një ndikim shumë të madh mbi Evropën nga pikpamja e burimeve energjitike dhe ka po ashtu një rol të madh në çështjen bërthamore të Iranit. Pra rregullat e lojës nuk janë të njëjta.

Zëri i Amerikës: Sa e vështirë është të shfuqizohet rezoluta 12-44 e Këshillit të Sigurimit e cila megjithë se e dykuptimtë, e sheh Kosovën teknikisht si pjesë të Serbisë?

Morton Abramovic: Kjo është diçka thelbësore që duhet bërë patjetër. Rezoluta 12-44 duhet të shfuqizohet për të lejuar që Kosova të bëhet ligjërisht e pavarur, të paktën sipas shumicës së vendeve që pranojnë rezolutat e Kombeve të Bashkuara si bazë të ligjshmërisë. Pra kjo duhet bërë dhe në thelb këtë bën edhe plani i Ahtisarit.

Zëri i Amerikës: A ka rrezik që Këshilli i Sigurimit të kërkojë bisedime të mëtejshme mes palëve?

Morton Abramovic: Rreziku gjithnjë ekziston kur është fjala për Këshillin e Sigurimit. Por për të qenë të drejtë, duhet të themi se shumë vende e shikojnë me dyshim, në mos me negativizëm ndryshimin e territorit të një vendi tjetër. Prandaj shpesh ka një prirje të fortë për të thënë “le ta zgjidhin ata vetë me kompromis”. Por ne e dimë se kjo është e pamundur se në fund të fundit do të duhet të merret një vendim. Kështu që do të ketë shumë kundërshtime nga vende të caktuar, por më në fund Këshillit të Sigurimit do t’i duhet të përballet me realitetin dhe nëse nuk merr vendimin e drejtë, do të krijonte kushtet për një kaos të madh.

Zëri i Amerikës. Çfarë skenarësh shikoni ju në horizont? Për shembull që shqiptarët ta shpallin vetë pavarësinë?

Morton Abramovic: Kombet e Bashkuara kurrë nuk krijojnë vende të pavarura, ato njohin vendet që kanë shpallur pavarësinë. Siç e dini, propozimi i Ahtisarit nuk flet për Kosovë të pavarur por e bën të qartë se fjala është për pavarësi. Në fund të fundit, vendet e ndryshme nuk kanë rrugë tjetër veçse të njohin një Kosovë të pavarur dhe shfuqizimi i rezolutës 12-44 krijon bazën juridike që ato ta bëjnë këtë.

Zëri i Amerikës: Por çdo të ndodhte nëse serbët e Kosovës shpallin pavarësinë e tyre në veri?

Morton Abramovic: Nuk e përjashtoj mundësinë që Serbia të përpiqet të gjejë një farë mënyre për të propozuar një ndarje të Kosovës madje për të krijuar një ndarje të tillë, megjithëse kjo nuk përmbahet në planin e Ahtisarit. Por kjo kundërshtohet fuqimisht nga të gjitha vendet e botës. Nëse Serbia e bën këtë, do ta vinte veten në një pozitë jashtëzakonisht të keqe në marrëdhënie me Perëndimin për të ardhmen e saj dhe për çdo gjë që ata aspirojnë. Nuk mund të them që ata nuk do ta bëjnë këtë – kjo natyrisht që është një mundësi por unë jam shumë skeptik. Serbia i ka aftësitë për ta vështirësuar miratimin e një rezolute të OKB-së por ne shpresojmë, ashtu siç ka thënë zoti Tadiç, se çështjet juridike ata do t’i zgjidhin me mjete diplomatike. Mirëpo nuk jam i sigurt se si mund të veprojë Koshtunica, sepse ai është në pjesën më të madhe problemi kryesor.

Zëri i Amerikës: Fakti që Shtetet e Bashkuara do të kenë në muajin maj kryesinë në Këshillin e Sigurimit, a mendoni se mund ta lehtësojë zgjidhjen e problemit?

Morton Abramovic: Mendoj se po. Duke patur Shtetet e Bashkuara në kryesinë e Këshillit të Sigurimit kur të shqyrtohet rezoluta e Ahtisarit, ky fakt mendoj se do ta lehtësonte zgjidhjen dhe do të çonte në një zgjidhje relativisht të shpejtë, pa vonesa të pafund. Ky nuk është një faktor thelbësor, por është diçka e dëshirueshme.

Zëri i Amerikës: Mendoni se Ahtisari arriti diçka përmes negociatave mes dy palëve?

Morton Abramovic: Unë kam rezervat e mija për planin e Ahtisarit ashtu siç kanë shumë shqiptarë dhe natyrisht edhe serbët. Nga ana tjetër, ajo që bëri zoti Ahtisari, që është jashtëzakonisht me rëndësi, dhe që për mua ka meritë shumë të madhe, është se ai hapi rrugën për pavarësinë e Kosovës dhe e bëri të qartë se bota është e vendosur të përpiqet për të ruajtur një Kosovë shumetnike dhe për të mbrojtur popullatën e saj serbe. Ai hapi rrugën e ecjes përpara që do të ishte e pranueshme për komunitetin ndërkombëtar. Prandaj, megjithëse unë kam vërejtjet e mija për planin e tij, mendoj se ky propozim përbën një arritje serioze.

Zëri i Amerikës: Mendoni se Bashkimi Evropian ka përdorur më tepër se duhet karrotën se sa shkopin për Serbinë?

Morton Abramovic: Bashkimi Evropian njeh vetëm diplomacionë e karrotës. Mendoj se ata kanë qenë pjesë e problemit duke inkurajuar Serbinë që të besojë se ajo nuk ka përse të përmbushë disa kushte të caktuara pasi Bashkimi Evropian do t’i bëjë lëshime. Mendoj se ata kanë qenë shumë të pasuksesshëm në këtë rrugë. Çdo politikë duhet të shoqërohet me stimuj por edhe me masa shkurajuese dhe këto të fundit u kanë munguar atyre. Por shpresoj se ata nuk do të bëhen pengesë për zgjidhjen. //ii

XS
SM
MD
LG