Lidhje

Debati për Kryeprokurorin Gonzales


Një komision i Senatit amerikan ka ndërmarrë hapat e parë për të kërkuar dhënien e dëshmive nga zyrtarë të administratës së Presidentit Bush lidhur me shkarkimin nga Departamenti i Drejtësisë të 8 prokurorëve federalë vitin e kaluar. Këto shkarkime kanë nxitur një debat të fuqishëm politik dhe një numër demokratësh e të paktën një republikan po bëjnë thirrje që Presidenti të shkarkojë Prokurorin e Përgjithshëm Alberto Gonzales.

Komisioni Juridik i Senatit votoi që, në se është e nevojshme, gjykata të kërkojë dhënien e dëshmive nga zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë, të përfshirë në shkarkimin nga detyra të 8 prokurorëve federalë vitin e kaluar. Ky veprim u nxit nga kërkesat e demokratëve për të zbuluar arsyet për shkarkimin e prokurorëve. Ndër ata që kërkojnë shpjegime është Senatori demokrat nga Nju Jorku Charles Shumer: "Këto shkarkime ishin bazuar thjesht në motive politike. Për të ndëshkuar prokurorët, të cilët konsideroheshin si tepër tolerantë ndaj demokratëve dhe tepër të rreptë ndaj republikanëve", tha senatori.

Demokratët këmbëngulin se prokurorët u shkarkuan sepse nuk ishin treguar të zellshëm për të zhvilluar hetimet mbi shkelje në procesin zgjedhor para votimeve të nëntorit të kaluar për Kongres. Por Presidenti Bush dhe Prokurori i Përgjithshëm Alberto Gonzales u kanë dalë në mbrojtje shkarkimeve si të ligjshme dhe në kuadër të autoritetit të tyre.

Presidenti thotë se i takon tani Prokurorit të Përgjithshëm të bindë Kongresin se shkarkimet u kryen në mënyrë të rregullt: "Prokurët federalë janë të emëruar nga Presidenti dhe mund të shkarkohen nga Presidenti. Problemi qëndron në shpjegimet që u dhanë për këtë proces", tha presidenti.

Prokurorët federalë janë përgjegjës për zbatimin e ligjit federal në distrikte të ndryshme të vendit. Ata emërohen nga Presidenti, mund të shkarkohen për çdo arsye dhe historikisht janë të së njëjtës parti të cilës i përket Presidenti. Prokurori i Përgjithshëm Alberto Gonzales tha në një intervistë për rrjetin televiziv NBC se shkarkimi i tyre nuk ishte rezultat i ndonjë shpagimi me motive politike: "Këto shkarkime nuk kishin motive politike. Ato nuk u ndërmorën si shpagim dhe nuk u bënë për të ndërhyrë në ndonjë proces hetimor për korrupsion", tha kryeprokurori.

Por disa nga tetë prokurorët e shkarkuar dëshmuan kohët e fundit para Kongresit se ishin ndeshur me trysni nga ligjvënësit republikanë për t’u treguar më agresivë në hetimet për abuzime mbi disa anëtarë të Partisë Demokrate.

Ish-prokurori federal në Nju Meksiko, David Iglesias, u shkarkua disa javë pasi mori telefonata nga anëtarët republikanë të Kongresit, të cilët donin të mësonin për ritmet e hetimeve për korrupsion mbi disa demokratë: "Ndjeja se po më bëhej presion për t’i zhvilluar më shpejt këto hetime". Disa demokratë dhe të paktën një senator republikan i kanë bërë thirrje Presidentit të shkarkojë Prokurorin e Përgjithshëm Alberto Gonzales për mënyrën si u zhvilluan shkarkimet e prokurorëve.

Demokratët kërkojnë që së paku të zhvillohen hetime mbi shkarkimet dhe kërkojnë të dëgjojnë dëshmi nga zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë dhe të Shtëpisë së Bardhë. Senatori demokrat Patrick Leahy kryeson Komisionin Juridik të Senatit: "Disa nga prokurorët e shkarkuar kishin shënuar një numër suksesesh në detyrë dhe kishin marrë vlerësime shumë të larta nga eprorët, gjë që më bën të pyes veten mos vallë ishin tepër efektivë dhe cilësorë dhe ndoshta tepër të pavarur nga administrata. Cilat ishin motivet e vërteta për shkarkimet?"

Senatori republikan Jon Kyl thotë se demokratët e kanë ekzagjeruar shumë këtë çështje dhe vë në dukje se Presidenti Klinton zëvendësoi 93 prokurorë kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1993. "Këto janë të emëruar politikë, të cilët duhet të ndjekin përparësitë që parashtron Presidenti dhe Prokurori i Përgjithshëm", thotë zoti Kyle.

Por demokratja Dianne Feinstein ka një tjetër këndvështrim lidhur me mënyrën se si prokurorët federalë duhet të përmbushin detyrën: "Përfundimi që rezulton nga e gjithë kjo është se prokurorët i janë borxhli Shtëpisë së Bardhë ashtu si të gjithë të emëruarit politikë. Megjithatë, sapo këta zyrtarë bëjnë betimin në detyrë, ata i janë borxhli vetëm një grupi njerëzish – popullit amerikan. Zoti Gonzales nuk është Prokurori i Përgjithshëm i Shtëpisë së Bardhë, por i popullit amerikan. Secili nga prokurorë duhet të ketë objektivitet dhe pavarësi, si dhe vullnetin për të ndjekur faktet, pavarësisht nga përfundimi". Vëmendja që po i kushton Kongresi shkarkimeve të prokurorëve, është shembulli më i freskët i përplasjeve politike në të cilat po has administrata e Presidentit Bush që pas fitores së demokratëve në Kongres. //rd//

XS
SM
MD
LG