Lidhje

Sfida e plakjes globale të popullsisë


Për herë të parë në histori, njerëzit e moshës 65 vjeç e sipër do të kalojnë numrin e atyre që janë nën moshën pesë vjeçare në disa pjesë të botës. Sfida që u shtrohet edhe vendeve më të varfëra, është të plotësojnë nevojat e të moshuarve duke i kushtuar vëmendje në të njëjtën kohë edhe të rinjve. Në një konferencë ndërkombëtare të sponsorizuar nga Departamenti i Shtetit (të enjten) u diskutua pikërisht për këto sfida dhe shqetësime.

Regjistrimet e bëra nga Kombet e Bashkuara tregojnë se njerëzit në të gjithë botën po jetojnë më gjatë. Kjo, si rrjedhojë e medikamenteve më të mira dhe ushqimit të bollshëm, edhe në vendet në zhvillim. Një statistikë tjetër globale: tani ka më pak të rinj që janë në gjendje të sigurojnë kujdes shëndetësor për të moshuarit. Statistikat e tjera tregojnë se deri në vitin 2050 njerëzit e moshës 60 vjeç e sipër do të përbëjnë gjysmën e rritjes së popullsisë së botës.

Gjithashtu ndërsa njerëzit moshohen, sëmundjet kronike pritet të shtohen. Shtetet e Bashkuara po provojnë tashmë mungesë të infermjereve dhe presin mungesa edhe në personelin e kujdesit shëndetësor gjatë viteve të ardhshme.

Shumë qeveri po fillojnë të kuptojnë se plakja globale mund të ndikojë në pothuajse çdo funksion të qeverisë dhe jetës private. Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice e cilësoi këtë prirje si një nga sfidat më të mëdha me të cilat do të përballen vendet këtë shekull. “Vendet në mbarë botën po venë re sfidën e plakjes, por shumë qeveri po përballen me të, veç e veç kur në fakt mund të përfitojmë më shumë duke ndarë rugët e zgjidhjes për këto probleme të përbashkëta”, tha sekretarja Rice.

Sekretarja Rice tha se një nga synimet kryesore të takimit të nivelit të lartë ishte hapja e diskutimeve në nivel ndërkombëtar për këtë prirje dhe inkurajimi i kërkimeve për t’ju përgjigjur sfidës së plakjes globale. //rd//

XS
SM
MD
LG