Lidhje

Ish agjentja e CIA-s, Valleri Plejm dëshmon para një komisioni të kongresit amerikan


Gruaja në qendër të skandalit të CIA-s, thotë se emri dhe identiteti i saj u abuzua në mënyrë të papërgjegjshme nga zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë. Ish agjentja e CIA-s Valerie Plame i bëri akuzat dje para komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve. Deri më tani, ajo pat qendruar në heshtje, afro katër vjet pas zbulimit të identitetit të saj, menjëherë pas situatës së ndezuar politike pas pushtimit të Irakut.

Ajo ishte agjentja e CIA-s, identiteti i së cilës thuhet se u bë publik qëllimisht nga zyrtarë në kreun e shtetit. Valerie Plame Wilson nuk doli në publik për afro katër vjet, ndërkohë që zhvilloheshin hetime federale dhe debate rreth karrierës së saj. Vetëm pasi demokratët morën kongresin ajo theu heshtjen. E vërteta, i tha ajo komisionit është se kishte qenë agjente: "E dua karrierën tim sepse e dua vendin tim".

Një prokuror federal mësoi se së paku tre zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kishin nxjerrë emrin e saj tek gazetarët në verën e vitit 2003. Kritikët thonë se synimi ishte diskreditimi i burrit të saj, ambasadorit Joseph Wilson. Ai ishte dërguar në Niger nga CIA për të zbuluar nëse Iraku kishte blerë materiale bërthamore atje...një akuzë, të cilën administrata e përdori si shkak për luftën në Irak.

Më pas, Wilson publikoi një artikull që akuzonte administratën e presidentit Bush se nuk ishte treguar e drejtë me popullin amerikan. Zbulimi më pas i identitetit të saj nga administrata e presidentit Bush çoi në publikimin e emrit të saj në shtyp: "U ndjeva sikur dikush më kishte goditur me grusht. Efekti ishte i menjëhershëm për sigurinë e të gjithë familjes sime, agjentëve dhe njerëzve me të cilët kisha punuar".

Kjo i dha fund karrierës së saj. Ndërkohë që disa përkrahës të administratës nuk treguan rëndësi për çështjen duke thënë se nuk kishte ndonjë të keqe, Plame e bëri të qartë se kush fshihej pas kësaj: "Emri dhe identiteti im u abuzuan në mënyrë të papërgjegjshme nga zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit".

Askush nuk është akuzuar për zbulimin e identitetit të saj. Por këshillitari më i lartë politik i presidentit Bush, Karl Rove, e nxori identitetin e saj tek gazetarët. Dhe një nga zyrtarët më të lartë të zëvendës presidentit, Lewis Libby, u gjet fajtor kohët e fundit se i kishte gënjyer prokurorët federalë për rolin e tij në këtë çështje: "Të gjithë e dinin që punoja për CIA-n. Dhe kur betohesh për të ruajtur sigurinë kombëtare, ata duhet të ishin të zellshëm të më mbronin mua dhe çdo agjent të CIA-s".

Shumcia e republikanëve në komision mungonin...meqenëse nuk ishte ditë seancash në Kongres. Por ligjvënësi nga Virginia Tom Davis mori pjesë. Ai tha se dukej se zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë nuk e dinin se Wilson ishte agjence e fshehtë: "Kjo duket më shumë si problem i CIA-s se sa i Shtëpisë së Bardhë. Nëse agjencia nuk merr masa të duhuara për të mbrojtur identitetin e agjentëve të fshehtë, atëherë kush do ta bëjë këtë". Nga ana tjetër, demokratët shprehën indinjatën e tyre lidhur me skandalin. Kryetari i komisionit, Henry Waxman tha se Kongresi nuk mund të japë ndëshkime penale. Por detyra e Kongresit është të gjejë se çfarë u bë gabim dhe të kërkojë mbajtjen e pergjegjësive. //rd//

XS
SM
MD
LG