Lidhje

Nano: Nuk është krijuar klima për zëra të arsyeshëm që do të nxisnin bashkëpunim për interesa kombëtare

  • Armand Mero

Në Shqipëri ish-kryetari socialist Fatos Nano, i cili ka shprehur hapur ambicien e tij për të qenë presidenti i ardhshëm i vendit, tha të premten mbrëma se debatet e hapur së fundi për këtë çështje kanë krijuar shumë zhurmë. Sipas tij nuk është krijuar ende klima që, siç u shpreh, do të bënte të dëgjoheshin zërat të arsyeshëm që do të nxisnin bashkëpunimin për interesa të mëdha kombëtare.

Në fillim të janarit të këtij viti, pasi u takua me Kryeministrin Sali Berisha, zoti Nano deklaroi disa herë se ai do të përpiqej për të mbështetur një politikë jashtë konflikteve. Të premten, ndërsa po dilte nga një takim, ku presidenti kroat, Stipe Mesiç, promovoi në Tiranë një libër të tij mbi shpërbërjen e Jugosllavisë, zoti Nano u shpreh optimist se ata që punojnë për të nxitur bashkëpunimin, duke nënkuptuar kështu hapur vetveten, “do të arrijnë të dëgjohen më shumë sesa konflikti dhe politika që po vret shanset e vendit".

Zoti Nano kritikoi të dy krahët e politikës edhe për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme parlamentare në Shijak javën e shkuar. “Është një histori për t’u arshivuar një herë e mirë së bashku me dy palë duart që e damkosën sërish Shijakun”, deklaroi ai.

Por në Shqipëri debati mbi presidentin e ardhshëm, prej ditësh, është kthyer në problemin kryesor. Kryeministri Berisha, nga njëra anë, shprehet për një zgjedhje konsensuale dhe, nga ana tjetër, deklaron se e vetmja figurë që mund ta sigurojë këtë konsensus në një shkallë të gjerë është kandidatura e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Bamir Topi. Zoti Berisha edhe të premten saktësoi se, për dy votat që i mungojnë së djathtës për të zgjedhur presidentin, ai nuk do të pranojë asnjë imponim nga e majta dhe se është gati ta çojë vendin në zgjedhje të parkohshme. Ndërsa opozita, nga ana e saj, ka kërkuar realizimin me konsensus të disa reformave thelbësore për të shmangur një krizë që do ta çonte vendin në zgjedhje të reja. //az//

XS
SM
MD
LG