Lidhje

Konferencë e OKBsë për Irakun


Kombet e Bashkuara po i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar të financojë një plan pesë-vjeçar për rindërtimin e Irakut.

Plani quhet Marrëveshja Ndërkombëtare me Irakun, dhe përfaqësues nga gati 100 vende dhe institucione financiare u mblodhën në Kombet e Bashkuara për të dëgjuar sesi plani mund të rigjallërojë potencialin e këtij vendi të shkatërruar nga lufta.

Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon hapi takimin me një vlerësim të matur. Ai theksoi se ka patur tashmë një numër iniciativash që nuk kanë arritur të japin ato që ai i quajti “rezultate të dukshme”. Ai pranoi se suksesi i kësaj iniciative varet nga përparimi politik në Irak dhe pakësimi i dhunës.

Më parë ai u tha gazetarëve se synimi i planit ishte dërgimi i një sinjali për irakianët se komuniteti ndërkombëtar do t’i mbështesë në përpjekjet për të rindërtuar infrastrukturën e shkatërruar nga lufta. “Shpresojmë që plani do t’i japë pikë së pari një mesazh të rëndësishëm thelbësor dhe politik popullit irakian për ta inkurajuar të bëjë pjesën që i takon për të sjellë sigurinë dhe paqen në vendin e tij si dhe mesazhi e fuqishëm se komuniteti ndërkombëtar është përkrah tyre në mështetje të këtyre përpjekjeve”.

Zëvendës-presidenti irakian Adil Abdal Mahdi udhëhoqi delegacionin e nivelit të lartë në takimin për marrëveshjen. “U përpoqëm të vendosim të gjithë komunitetin ndërkombëtarë përpara detyrimeve që ka duke thënë se rimëkëmbja në Irak është në të mirë të të gjitha vendeve. Për këtë arsye mendoj se ka një interes të përbashkët si nga qeveria irakiane nga njëra anë dhe nga vendet e tjera nga ana tjetër”, tha zëvendëspresidenti.

Ndihmës Sekretari amerikan i Thesarit Robert Kimmitt drejtoi delegacionin e Shteteve të Bashkuara në konferencën e OKB-së. Ai u pyet pas takimit se si do t’u përgjigjej atyre që argumentojnë se me këtë nivel të dhunës në Irak, projektet e rindërtimin janë një humbje parash. “Suksesi në Irak do të vijë përmes strategjive të koordinuara politike dhe të sigurisë. Ka vende në Irak, qysh tani që janë të sigurta sa duhet për të filluar rindërtimin dhe shërbime të tjera themelore për popullin irakian. Ne duhet të veprojmë aty dhe të jemi gati për zona të tjera kur të bëhen më të sigurta. Kjo do të thotë që në aspektin ekonomik të kemi gati një buxhet dhe mundësinë për ta vënë atë në zbatim. Duhet të kemi kapacitete si në ministritë e Bagdatit dhe në provinca për t’u siguruar që paratë të përdoren në mënyrë të efektshme ashtu siç është parashikuar për një jetë më të mirë për popullin irakian”. Zoti Kimmitt tha se një takim pasues mund të mbahet brenda pak javësh kur institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare do t’u kërkohet të japin ndihma për marrëveshjen. Zyrtarët amerikanë thanë se Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice ka të ngjarë të marrë pjesë në atë konferencë. //rd//

XS
SM
MD
LG