Lidhje

Autoritetet në Kosovë dënojnë sulmin ndaj kishës katolike në Binçë


Qeveria e Kosovës shprehu të shtunën indinjatën e thellë lidhur me sulmin dhe grabitjen e e kishës katolike në fshatin Binçë të Vitisë.

Qeveria e konsideroi ngjarje të hidhur sulmin që ndodhi të shtunën në orët e hershme të mëngjesit, gjatë të cilit u grabit me dhunë personeli i kishës katolike në fshatin Binçë të Vitisë. Qeveria tha se e konsideron sulmin ndaj kishës së Binçës "akt shumë të ulët dhe qyqar" i cili, pa marrë parasysh motivet dhe kryesit e kësaj vepre, është sulm ndaj ndjenjave fetare të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.

Qeveria u bëri thirrje qytetarëve që të ndihmojnë organet e rendit për të kapur keqbërësit dhe t'i nxjerrin ata para drejtësisë.

Ngjarja nxiti edhe reagimin e Kryetarit të Parlamentit Kolë Berisha. Në Kosovë, Kryetari i Parlamentit, Kolë Berisha, e quajti mbrëmë akt brutal sulmin ndaj klerikut mjaft të njohur katolik në Kosovë, Dom Lush Gjergji, dhe pjesëtarëve të tjerë të personelit të kishës katolike të Binçës të cilët u sulmuan dhe u grabitën në orët e para të mëngjesit nga persona të paidentifikuar.

Zoti Berisha kërkoi veprime urgjente nga organet e rendit për të zbardhur rastin dhe theksoi se akte të tilla janë sulme flagrante kundër barazisë dhe tolerancës fetare në Kosovë. Në reagimin e zotit Berisha, i cili iu dërgua mediave në Prishtinë, thuhet se persona të panjohur kanë hyrë në mënyrë të dhunshme në Kishën Katolike të Binçës dhe kanë goditur Famullitarin Dom Lush Gjergji dhe disa pjesëtarë të tjerë të personelit të kësaj kishe.

Policia në Kosovë tha se tre persona kishin sulmuar dy priftërinj dhe u kishin grabitur, nën kërcënimin e armëve, një sasi të hollash dhe dy telefona celularë. Policia pohoi gjithashtu se dy priftërinjtë kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe u është dhënë ndihma e shpejtë. Autoritetet konfirmuan gjithashtu se po zhvillohen hetime. //rd//

XS
SM
MD
LG