Lidhje

Lufta në Irak hyn në vitin e pestë mes polemikash mbi tërheqjen e trupave


Presidenti Bush shënoi përvjetorin e katërt të luftës në Irak, duke thënë se kjo luftë është e vështirë, por mund të fitohet. Me anë të një deklarate të shkurtër që bëri sot nga Shtëpia e Bardhë, presidenti i kërkoi Kongresit që të miratojë një projekt-ligj shpenzimesh emergjente të luftës për operacionet në Irak dhe në Afganistan dhe t’ia kalojnë atij për firmë pa i vënë kufizime dhe pa vonesa.

Dhoma e Përfaqësusve, e mbizotëruar tani nga demokratët, po përgatitet të debatojë një propozim, që do ta lidhte miratimin e fondeve emergjente të luftës me një tërheqje të trupave deri në shtator të vitit të ardhshëm.

Një projekt-ligj i ngjashëm u hodh poshtë me një diferencë të vogël votash në Senat.

Po sot më parë, presidenti Bush u takua me ekipin e tij të Këshillit të Sigurimit Kombëtar si dhe bisedoi nëpërmjet një telekonference me kryeministrin irakian, Nuri al-Maliki.

Katër vjet më parë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të koalicionit ndërhynë në Irak duke rrëzuar me lehtësi regjimin e Sadam Huseinit. Por ajo fitore e shpejtë do të errësohej më pas nga sulmet terroriste dhe të kryengritësve që kishin si objektiva jo vetëm trupat e koalcionit por edhe popullatën civile. Sot, Iraku është i ndarë nga dhuna sektare dhe administrata e presidentit Bush ka vendosur të shtojë numrin e trupave – një lëvizje që ka krijuar debate të forta mes amerikanëve.

Pushtimi ishte i shpejtë, me pak viktima dhe regjimi i Sadam Huseinit u përmbys me lehtësi. Në maj të vitit 2003 presidenti Bush bëri këtë deklaratë në bordin e aeroplanmbajtëses amerikane Abraham Lincoln.

Operacionet madhore të luftimit në Irak kanë përfunduar. Në betejën për Irakun, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë dolën fitimtarë”,- tha Presidenti.

Por sulmet e kryengritësve suni dhe të terroristëve të al-Kaidës filluan të shtohen. Trupat amerikane dhe ato të koalicionit nuk ishin të vetmet objektiva. Civilët irakianë veçanërisht shumica shiite, filloi të bëhet objektivi kryesor i sulmeve. Dhuna duket se i kapi të papërgatitura Shtetet e Bahkuara. Ja ç’thotë Majkëll O’Hanlon i Institutit Brukings:

“Në fakt nuk kishte ndonjë plan se çfarë do të bënin forcat ushtarake pas rënies së Sadamit. Kishte konfuzion përsa i takon politikës që duhej ndjekur. Kjo bëri që të krijohej një ndjenjë kaosi dhe imazhi ynë si çlirimtarë u shua shpejt”.

Megjithë votimet e lira për miratimin e kushtetutës dhe zgjedhjen e qeverisë, kryengritësit arritën të krijonireleases an anti missile decoy flair as it files over Baghdadn një situatë të paqëndrueshme dhe të ndiznin dhunën sektare. Në shkurt 2006, hedhja në erë e xhamisë shiite në Samara shkallëzoi atë që ishte bërë tashmë një luftë civile. Kohët e fundit, Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts e përshkroi kështu situatën.

“Ne përballemi kryesisht me katër luftëra të ndryshme – lufta e shiitëve kundër shiitëve, veçanërisht në jug, konflikti sektar në Bagdat dhe përreth tij; kryengritja bathiste dhe së katërti al Kaida”,- tha ai.

Në janar presidenti Bush njoftoi dislokimin e më shumë se 20 mijë trupave shtesë për të ndihmuar forcat irakiane të sigurimit të ndalin dhunën në kryeqytet dhe të çarmatosin milicët. Nga ana e tij kryeministri irakian Nouri al Maliki premtoi të ndërmarrë një numër hapash politikë. Ato përfshijnë frenimin e milicisë shiite të udhëhequr nga kleriku radikal Moqtada al-Sadr. Në fillim të marsit, presidenti Bush shprehu besimin se strategjia e re do të funksionojë.

"Strategjia do të funksionojë këtë herë. Sigurisht që presim që al Kaida dhe ekstremistë të tjerë të përpiqen të dëmtojnë strategjinë tonë duke ndërmarrë sulme spektakolare. Megjithatë edhe tani që sapo ka filluar ky operacion ka disa shenja inkurajuese”,- tha Presidenti.

Por shpërthimet dhe sulmet e tjera vazhdojnë dhe ka shqetësime se shtimi i trupave mund të jetë i vonuar. Përsëri Majkëll O’Hanlon i Institutit Brukings.

“Katër vjet në këtë luftë dhe një vit në luftë civile, mendoj se është shumë për të qenë optimist. Anoj nga mendimi se është e drejtë të përpiqesh me këtë strategji për disa muaj pasi është vazhdim i logjikës ku jemi mbështetur për një kohë të gjatë por ajo mund të mos funksionojë. Prandaj strategjia e duhur është të vazhdojmë kështu përkohësisht ndërkohë që përgatisim një plan B”- tha studjuesi.

Sipas disa njoftimeve, jeta po i kthehet normalitetit në disa pjesë të Irakut pas shtimit fillestar të forcave amerikane dhe irakiane të sigurimit. Por në kushtet kur deri tani në Irak janë vrarë më shumë se 3 mijë e 100 trupa amerikane, anketat e opinionit tregojnë se shumë amerikanë besojnë se lufta ishte një gabim dhe kërkojnë që trupat të kthehen brenda 12 muajsh. Demokratët e opozitës që kontrollojnë kongresin po përpiqen të gjejnë mënyra për ta detyruar presidentin Bush të fillojë një tërheqje të shpejtë, lëvizje së cilës presidenti i ka rezistuar duke paralajmëruar se mund të çojë në një katastrofë.//lk

XS
SM
MD
LG