Lidhje

Turizmi në hapësirë, jo më një fantazi

  • Nga Gergerli

Turizmi në hapësirë nuk është më një fantazi, të paktën për ata që mund ta përballojnë financiarisht. Kompanitë private në mbarë botën po konkurojnë tani për t’u bërë të parat në shfrytëzimin e hapësirës për qëllime komerciale. Dhe gara për hapësirën po krijon industri të reja.

Pushtimi i hapësirës ishte dikur një garë ideologjike midis dy fuqive rivale gjatë Luftës së Ftohtë. Sot kompanitë private po konkurojnë për të nxjerrë fitime nga hapësira. Erik C. Anderson, president dhe drejtor ekzekutiv i Space Adventures, kompania e parë që dërgoi pasagjerë me pagesë në hapësirë, beson se gara e re e hapësirës përbën një zhvillim pozitiv.

"Që në ditët e para të fluturimeve në hapësirë, sigurisht gara ishte midis Bashkimit Sovjetik dhe Shteteve të Bashkuara, për të dërguar të parët njerëz në orbitë dhe në Hënë. Tani gara e hapësirës po motivohet nga fitimi, që është një arsye më e mirë pasi i qendron larg ulje-ngritjeve të politikës", - thotë ai.

Anderson beson se hapësira hap horizonte të jashtëzakonshme për biznes. "Space Adventures" ka fituar 120 milion dollarë duke ofruar vende në anijet e hapësirës për publikun.

“Kur ka miliona njerëz që duan të shkojnë në hapësirë, dhe ne jemi ata që gjejmë rrugët për t’i çuar atje, kjo krijon mundësi për biznes,” thotë Anderson.

"Space Adventures" filloi të merrte shërbime komerciale nga Agjencia Ruse e Hapësirës pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

"Në fillim të viteve 90 gjërat filluan të ndryshojnë në ish Bashkimin Sovjetik. Motivimi për të ruajtur kapacitetin e tyre hapësinor duhet të mbështetej tek aktivitetet komerciale. Në të kaluarën agjencia amerikane e hapësirës Nasa nuk u ka dhënë shumë mundësi aktiviteteve komerciale. Por kjo mund të ndryshojë,- thotë Doug Kuk, zëvendës administrator për eksplorimin në këtë agjenci.

Si agjenci qeveritare, Nasa nuk mund të shesë bileta për të çuar turistë në hapësirë. Por ne jemi të inkurajuar të gjejmë mundësi të tilla, pra për t’u marrë edhe me veprimtari komerciale. Kompani të tjera, si Virxhin Galaktik, po përpiqen të fitojnë vend në treg duke krijuar anijet e veta të hapësirës për pasagjerë. Inxhinieri i kompanisë Bërt Ratan beson se hapësira nuk duhet të vizitohet vetëm nga elita e shoqërisë.

"Edhe unë dua të shkoj në hënë. Dua të shoh ditën kur një udhëtim i tillë të jetë i përballueshëm edhe për mua", - thotë ai.

Vërxhin Galaktik ka në plan të fillojë fluturimet e para në hapësirë brenda dy vjetësh me një çmim nga 200 mijë dollarë për njeri dhe duke ndërtuar një pikë nisjeje në Nju Meksiko. Deri tani, më shumë se 50 mijë njerëz kanë shfaqur interesim për t’u bërë turistë të hapësirës. Konkurenca është një shenjë e qartë se po krijohet një industri e re. Anderson beson se pas 30 apo 40 vjetësh hapësira do të jetë më e përballueshme për një përqindje më të madhe të popullatës.

"Ajo që po bëjmë sot, është më shumë sesa dërgimi i të pasurve në hapësirë. Kjo është në fakt një katalizator për një të ardhme ku të gjithë ne do të jemi në gjendje të shkojmë në hapësirë."- thotë ai.

Disa ekspertë rusë besojnë se Hëna mund të jetë gjithashtu një burim për karburant. Bazuar në disa llogaritje, izotopi Helium 3, që gjendet me bollëk në Hënë, mund të japë energji të mjaftueshme për qindra vjet në Tokë. Por ky proces do të kërkonte dekada të tëra për t’u zhvilluar.//lk

XS
SM
MD
LG