Lidhje

Lidhja mes pubertetit të hershëm dhe mbipeshës tek vajzat


Shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se ekziston një lidhje mes pubertetit të hershëm dhe mbipeshës tek vajzat në moshën e fëmjërisë. Në vazhdim do t’ju njohim me përfundimet e një studimi, ku morën pjesë 350 vajza që nga vitet e para të fëmijërisë, e deri në periudhën e adoleshencës.

Shkencëtarët kanë vënë re se shumë vajza e fillojnë tani periudhën e pubertetit shumë më shpejt se 30 vjet më parë. Në të njëjtën kohë, ritmet e mbipeshës tek fëmijët amerikanë vazhdojnë të jenë në rritje. Prandaj, studjuesit kanë arritur në përfundimin se rritja e peshës tek vajzat mund të kontribuojë në fillimin më herët të pubertetit. Kjo periudhë tek vajzat shoqërohet me një sërë ndryshimesh fiziologjike e psikologjike.

Doktoresha Xhois Li, profesore e pediatrisë në Universitetin e Miçiganit, analizoi të dhënat e studimeve qeveritare, që i kanë vëzhguar vajzat që nga vitet e para të fëmijërisë, deri në adoleshencë. Doktoresha Li dhe kolegët e saj studiuan indeksin e masës trupore të 350 vajzave që nga mosha 3 vjeçare. Indeksi ka të bëjë me masën e dhjamit në përpjestim me peshën dhe gjatësinë.

"Ne arritëm në përfundimin se vajzat që kishin indeksin e masës trupore më të madhe në moshë 3 vjeçe, kishin më tepër prirje për pubertet të hershëm."

Doktoresha Li thotë se studimi të bën të besosh se pesha e madhe në vitet e vegjëlisë, ndikon në fillimin më shpejt të periudhës së pubertetit tek vajzat. Megjithatë, shton ajo, nuk është e qartë ende në se moslejimi i shtimit në peshë i vajzave në moshë të vogël do ta vononte pubertetin. Por doktoresha thotë se vonimi i pubertetit tek vajzat do të ishte diçka e mirë, sepse fillimi para kohe i kësaj periudhe ka efekte psikologjike dhe shëndetësore afatgjatë tek vajzat.

"Nga studime të mëparshme e dimë se fillimi para kohe i pubertetit mund të shoqërohet me shtimin e problemeve të sjelljes tek vajzat dhe me vështirësi psikologjike, me fillimin para kohe të përdorimit të alkoholit, dhe të marrëdhënieve seksuale, si dhe me shtimin e mbipeshës në moshë madhore dhe të kancerit të gjirit."

Doktoresha Lee thotë se është mirë të merren masa për moslejimin e mbipeshës tek vajzat, sepse kjo mund të shkaktojë diabetin, tensionin e lartë të gjakut dhe kolesterolin e lartë që në vitet e fëmijërisë.//lk

XS
SM
MD
LG