Lidhje

Avioni A380 kryen uljen e parë në Nju Jork


Është avioni më i madh i pasagjerëve i ndërtuar ndonjëherë. Me kapacitetin për të mbajtur 555 pasagjerë dhe me efektshmëri më të mirë të karburantit sesa avionët e tjerë, Airbus A380 bëri uljen e parë historike dje në Nju Jork. Është kjo e para e disa vizitave të planifikuara në mbarë Shtetet e Bashkuara këtë javë nga konkurrenti evropian.

Në kushtet e një moti që pilotët e cilësojnë si shumë të pastër, avionin mund ta shihje që nga 20 kilometra larg. Nën masa të rrepta sigurie dhe para qindra kamerave, Airbus A380, avioni më i madh i pasagjerëve në botë bëri një zbritje relativisht të qetë në pistën e Aeroportit John F. Kennedy në Nju Jork.

Piloti i avionit 8940 të Lufthansës, Jyrgen Raps, e krahason pilotimin e avionit me ngarjen e një makine sportive italiane: “Kur imagjinon madhësinë dhe peshën e këtij avioni mendon se ai mund të lëvizë si një autobuz apo kamion. Por është më shumë si të drejtosh një Ferrari – është shumë i ndjeshëm në kontroll dhe reagon shumë shpejt. Kështu që fluturon me shumë preçizion dhe në të njëjtën kohë është shumë i qëndrueshëm” , thotë piloti.

Mbërritja e Airbusit në aeroportin Kenedi me pasagjerët dhe ekuipazhin e plotë, e bën këtë vizitën e parë të gjigantit të fluturimeve në tokën amerikane.

Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit Portual Anthony Shoris thotë se ngjarja historike shënon edhe fillimin e një epoke të re në udhëtimin ajror nga dhe për në Nju Jork. Qyteti shpreson tani të ketë përfitime ekonomike pas investimit të 10 milion dollarëve në përmirësimin e aeroportit për avionin e ri. "Në vitin e parë të fluturimeve të A380ës shpresojmë të nxjerrim deri në 80 milion dollarë shtesë nga aktivitetet ekonomike, 30 milion më shumë në paga dhe ndoshta mijëra vende pune".

Airbus shpreson gjithashtu të ketë përfitime ekonomike nga ky projekt që është pllakosur nga vështirësitë. Dy vjet prapa planifikimit, Airbus ka humbur më shumë se 6 miliardë dollarë nga të ardhurat e parashikuara që do të nxirrte.

Kompania shpreson që zbritja e suksesshme dje në Nju Jork dhe një tjetër në Aeroportin e Los Angelosit do të ndihmojë në zbutjen e njoftimeve negative rreth vonesave në prodhim. A380-ta është tani jo vetëm avioni më i qetë në qiej, por edhe më i efektshmi në përdorimin e karburantit, duke konsumuar rreth 1 litër karburant në 40 kilometra për çdo vend pasagjeri. Shoqëria Singapore Airline do të marrë e para A380-ën në muajin tetor. Ndërsa Lufthansa do të fillojë fluturime të rregullta me A380-tën nga Frankfurti në Nju Jork në verë të vitit 2009. //rd//

XS
SM
MD
LG