Lidhje

Sejdiu: Rusia nuk do të jetë pengesë në vendimin për Kosovën


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i tha Zërit të Amerikës nga Nju Jorku se nuk beson që Rusia të bëhet pengesë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Zoti Sejdiu, mori pjesë dje në seancat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku shefi i UNMIK-ut, Joahim Ryker paraqiti një raport për zhvillimet në Kosovë, raport që u kritikua ashpër nga përfaqësuesi i Moskës në Kombet e Bashkuara.

Zoti Sejdiu tha se në Kishillin e Sigurimit gjeti një atmosferë të përgjithshme mirëkuptimi për atë që është bërë në Kosovë. Ai tha se kishte shprehur përsëri “argumentet në favor të pavarësisë së Kosovës” si dhe “qendrimin e palëkundur” lidhur me garancitë për të gjitha komunitet pakicë në Kosovë.

I pyetur për kërkesën e Rusisë e cila vazhdon të argumentojë se Këshilli i Sigurimit nuk mund të imponojë një zgjidhje pa një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit, zoti Sejdiu tha:

“Mund të them se ne i kemi shterruar të gjitha mundësitë tona. Edhe Presidenti Ahtisari e ka bërë shumë të qartë këtë dhe mendoj se ky është qendrimi i përbashkët edhe i vendeve të tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit. Mendoj se Rusia megjithatë do të jetë në një linjë të përbashkët veprimi duke patur parasysh rolin e saj të deritanishëm në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe investimet e përbashkëta që kanë bërë me vendet anëtare për të ndihmuar këtë proces. Besoj se në fund ajo nuk do të jetë pengesë në marrjen e vendimit të përbashkët nga ana e Këshillit të Sigurimit.”

Presidenti Sejdiu tha se nga informacionet e para të drejtpërdrejta që kishte marrë dje në Këshillin e Sigurimit, procesi i përcaktimit të statusit do të ecë me shpejtësi.

“Nga takimi që kisha me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun ai dha një garanci të drejtpërdrejtë se do të angazhohet që kjo çështje të shtrohet në Këshillin e Sigurimit sa më shpejt, besoj që gjatë muajit prill, megjithëse ka ndonjë kërkesë që të fillohet me një riciklim të bisedimeve. Megjithatë mendoj se me këtë investim të përbashkët të vendeve të Këshillit të Sigurimit, ato do të gjejnë gjuhën e përbashkët për të kapërcyer edhe këtë pjesë të debatit.”

I pyetur për mundësinë që shtyrjet e mëtejshme të procesit të çojnë në shpërthime dhune në Kosovë, Presidenti Sejdiu u përgjigj:

“Them se mund të ketë edhe forca që pavarësisht nga cili burim dhe nga cila anë vijnë, janë të interesuara të gjejnë momente të përshtatëshme për të nxitur edhe qasje të tjera të cilat nuk do të prodhonin efekte pozitive. Gjithashtu, siç është thënë edhe më parë, ka palë të interesuara, veçanërisht struktura paralele që veprojnë në pjesë të caktuara, sidomos në veri të Kosovës. Ato janë në investime të vazhdueshme për të gjetur momentin apo për të bërë veprime të cilat do ta çrregullonin jetën e përgjithshme ose do të krijonin tensione të veçanta që do të ishin të rrezikshme.” //ii

XS
SM
MD
LG