Lidhje

Rajs: Plani amerikan kundër raketave, jo faktor destabilizimi


Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs thotë se plani i Shteteve të Bashkuara për të ndërtuar në Evropë një sistem kundër raketave do të jetë një “faktor stabilizues”, sepse do të ndihmonte për t’u mbrojtur ndaj kërcënimeve të mundëshme nga Irani. Ky plan e ka zemëruar Rusinë dhe ka ngjallur shqetësime në Evropë.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs thotë se plani i Shteteve të Bashkuara për të ngritur në Evropë një sistem të ri të mbrojtjes kundër raketave do të ndihmojë për t’u mbrojtur ndaj kërcënimeve në të ardhmen, për shembull ndaj raketave që mund të lëshohen nga Irani. "Jetojmë në një botë ku përballemi me kërcënime të vogla bërthamore, me kërcënime të vogla dhe të mundëshme për shembull nga raketat e Iranit. Dhe në një botë të tillë, një sistem i kufizuar mbrojtës që mund të përballet me kërcënimet e vogla është një faktor mjaft stabilizues dhe jo destabilizues."

Zonja Rajs foli për sistemin e raketave pas një takimi që pati dje në Uashington me ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara kanë patur bisedime të përsëritura me Rusinë lidhur me sistemin e planifikuar të mbrojtjes nga raketat. Plani parashikon vendosjen e interceptorëve të raketave në Poloni si dhe ndërtimin e një baze radari në Republikën Çeke. "Ne vazhdojmë të këshillohemi me rusët. Por nocioni se një sistem i tillë në një farë mënyre ka si objektiv Rusinë nuk mbështetet nga faktet."

Rusia është kundër planit dhe Presidenti Putin thotë se kjo do të ishte një kërcënim ndaj sigurimit të vendit të tij. Plani amerikan ka ngjallur shqetësime edhe në Evropë. Franca ka ngritur dyshime rreth efektshmërisë së sistemit antiraketë. Ndërsa Gjermania ka shprehur shqetësimin se kjo mund të bëhet shkak për një garë të re armatimesh.

Ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer tha pas takimit të tij të djeshëm me zonjën Rajs se Shtetet e Bashkuara duhet të zgjerojnë bisedimet e tyre me Evropën. "Ne, si vend kryesues i Bashkimit Evropian, kemi një inters të kuptueshëm që qendrimet evropiane të jenë të harmonizuara."

Zoti Shtajnmajer nuk u kushtoi rëndësi zërave për ndonjë mosmarrëveshje me Shtetet e Bashkuara për çështjen e raketave. Ai tha se nevoja e Amerikës për t’u mbrojtur ndaj kërcënimeve të mundëshme nga raketat duhet respektuar. //ii

XS
SM
MD
LG