Lidhje

ShBA: Demokratët kërkojnë dëshmi ligjore dhe publike në hetimet mbi shkarkimin e prokurorëve federalë


Presidenti Bush po u bën thirrje demokratëve të shumicës në Kongres të pranojnë ofertën e tij për të lejuar që këshilltarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë t’u përgjigjen pyetjeve por pa bërë më parë betimin para hetuesve që po zhvillojnë procesin e hapur nga Kongresi lidhur me shkarkimin nga detyra të disa prokurorëve federalë. Por demokratët këmbëngulin që dëshmia të jetë publike dhe ligjore.

Presidenti Bush i ka paralajmëruar demokratët të mos përpiqen të shkaktojnë një ballafaqim kushtetues lidhur me çështjen e shkarkimit të prokurorëve federalë. "Përgjigja fillestare e demokratëve, për fat të keq tregon se ata janë më të interesuar për të shënuar pikë politike se sa për të mësuar faktet. Do të ishte për të ardhur keq nëse ata zgjedhin rrugën e partishmërisë duke nxjerrë thirrje për paraqitje në gjyq dhe duke kërkuar gjyqe sensacionale, në një kohë kur unë kam rënë dakord që të ofroj dokumenta dhe dëshmi të zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë," tha Presidenti.

Por ai shtoi se nëse personeli i një presidenti vepron në frikë të vazhdueshme se do të nxirret para komisionesh të ndryshme për të diskutuar çështje të brendshme, Presidenti nuk do të arrinte të merrte prej stafit këshilla të sinqerta dhe kjo nuk do t’i shërbente si duhet popullit amerikan.

Avokati i Shtëpisë së Bardhë Fred Fielding, në një letër dërguar Komisioneve Juridike të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve që po hetojnë këtë çështje, tha se këshilltari politik i Presidentit, Karl Rouv, dhe ish-avokatja e Shtëpisë së Bardhë Herier Majers do të ishin të gatshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të hetuesve, por nuk do të jepnin dëshmi ligjore apo publike.

Por kryetari i Komisionit Juridik të Senatit, senatori demokrat Patrik Lehi nga Vermonti, e hodhi poshtë këtë ofertë duke thënë se dëshmia duhet të jetë ligjore dhe e regjistruar. Në një deklaratë me shkrim, ai tha se kjo është formula për përgjegjshmëri të vërtetë.

Komenteve të tij u bëri jehonë Senatori Çarls Shumer, demokrat nga Nju Jorku: "Duket sikur Presidenti synon të japë përshtypjen se po bashkëpunon, por pa bashkëpunuar realisht," tha Senatori.

Demokratët po hetojnë nëse shkarkimi i prokurorëve federalë u bë me motive politike. Presidenti u tha gazetarëve se nuk ka pasur asnjë veprim të parregullt në shkarkimin e tyre. Por prokurorët që humbën punën argumentojnë se shkarkimi i tyre u nxit nga motive politike.

Kjo çështje ka sjellë thirrje nga demokratët si dhe disa republikanë që Prokurori i Përgjithshëm Alberto Gonzales të japë dorëheqjen. Presidenti ritheksoi mbështetjen e tij për zotin Gonzales.

Më parë, Senati votoi me 92 vota pro dhe 2 kundër për t’i hequr zotit Gonzales autoritetin për të emëruar prokurorë federalë pa konfirmimin e Senatit. Ky autoritet iu dha degës ekzekutive të pushtetit nga një prej klauzolave të Aktit Patriot. Projekt-ligji për kufizimin e autoritetit të Prokurorit të Përgjithshëm Gonzales duhet të miratohet më pas nga Dhoma e Përfaqësuesve. //ad//

XS
SM
MD
LG