Lidhje

Franca në mbështetje të propozimit Ahtisari


Ministri i Jashtëm francez Philippe Douste Balzy, tha sot në Prishtinë se Franca, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e mbështetë plotësisht propozimin e krye negociatorit ndërkombëtarë për statusin e Kosovës Martti Ahtisaari.

Ai i bëri këto komente pas takimeve me përfaqësuesit e institucioneve ndërkombëtare e vendase dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Ai shprehu keqardhjen që bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk sollën një marrëveshje, mirëpo propozimi i zotit Ahtisaari tha ai është më i miri i mundshëm dhe Franca e mbështetë në tërësi.

Ai paraqet një mundësi të veçantë për të siguruar qëndrueshmëri në Kosovë dhe rajon. Është një zgjidhje e drejtpeshuar që lidhë aspiratat e shumicës së popullsisë në Kosovë me garanci të forta për serbët dhe pakicat tjera kombëtare. Prania civile dhe ushtarake që do të shoqërojë autoritetet e Kosovës në zbatimin e statusit, paraqet një garanci të fuqishme për të gjitha komunitetet”, tha ministri Doust-Blazy.

Ai tha se u ka bërë thirrje përfaqësuesve shqiptarë që të qëndrojnë të bashkuar në këtë periudhë thelbësore për Kosovën dhe të fillojnë të punojnë për zbatimin e propozimit të zotit Ahtisaari posaçërisht në çështjet që kanë të bëjnë me komunitetet jo shqiptare.

Ai tha se i ka siguruar ata se "Franca dhe komuniteti ndërkombëtarë do të ndihmojnë ndërtimin e një shteti modern që respekton standardet evropiane dhe ndihmon qëndrueshmërinë në rajon".

Shefi i diplomacisë franceze tha se u ka bërë thirrje përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për një qasje realiste dhe që të shfrytëzojnë mundësitë që u ofron propozimi i zotit Ahtisaari i cili siguron të drejta të qarta për këtë komunitet.

“Komuniteti Ndërkombëtarë nuk do të pranojë ndarjen e Kosovës dhe as shkeljen e statusit pavarësisht nga shqiptarët apo serbët”, tha zoti Douste-Blazy i cili pas Prishtinës shkoi në Beograd për të debatuar me autoritetet e atjeshme për procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Ai tha se Franca nuk sheh asnjë arsye për ndonjë vazhdim të negociatave për statusin e Kosovës, meqë, sipas tij, palët kanë pasur mundësi të mjaftueshme gjatë një viti bisedimesh për të paraqitur pozicionet e tyre. Ai tha se është me rëndësi t'u tregohet rusëve se kjo është një çështje “kosovare” dhe duhet gjetur një sistem që do ta bënte Kosovën vend për të gjithë, që ligji ndërkombëtarë të respektohet dhe kjo nuk paraqet precedent. Ai tha se aktualisht po punohet për të siguruar një konsensus në Këshillin e Sigurimit në mënyrë që të ecet përpara me procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës.//rd//

Propozimi I zotit Ahtisaari pritet t'u dorëzohet në Këshillin e Sigurimit të hënën ndërsa muaji prill pritet të jetë periudhë e debateve për këtë çështje.

XS
SM
MD
LG