Lidhje

Bashkëshortja e kandidatit presidencial Eduards, me kancer


Kandidati demokrat për president, John Edwards, tha sot se do ta vazhdojë fushtatën, edhe pse gruaja e tij Elizabeth po lufton me kancerin.

Në një konferencë shtypi në shtetin e tij, Karolinën e Veriut, ish-senatori Edwards bëri të njohur se gruaja e tij përsëri po lufton me kancerin. "Gruas sime i është kthyer prapë kanceri. Ne jemi shumë optimistë për këtë, pasi kemi kaluar situata të vështira bashkë edhe në të kaluarën. E dimë se është e rëndësishme ta mbajmë kokën lart, të ecim përpara dhe të tregohemi të fortë, dhe pikërisht këtë synojmë të bëjmë", tha zoti Edwards.

Elizabeth Edwards u diagnostikua me kancer në gji javët e fundit të fushatës presidenciale të vitit 2004. Në atë kohë, bashkëshorti i saj ishte kandidat për nënpresident, në një ekip me kandidatin presidencial, John Kerry. Zonja Edwards kohët e fundit theu një brinjë dhe me këtë rast, u zbulua se ajo kishte kancer në kockë.

John Edwards thotë se kanceri i bashkëshortes së tij nuk është i shërueshëm, por mund të kurohet. Në një konferencë shtypi që dha krahas me bashkëshortin e saj, zonja Edwards u tha gazetarëve se kohët e fundit nuk kishte patur shenja se kanceri po i shfaqej përsëri. "E vetmja gjë që më dhemb në trup është një brinjë. Dhe ju them me ndershëri se kjo është arsyeja që qëndroj këtu para jush duke buzëqeshur", tha zonja Edwards.

John Edwards thotë se fushata e tij për Shtëpinë e Bardhë do të vazhdojë me të gjithë elementët e nevojshëm dhe se ai me gruan nuk e kanë menduar asnjëherë seriozisht heqjen dorë nga gara. Çifti Edwards ka 30 vjet martesë dhe në vitin 1996 atyre u vdiq djali i madh në aksident automobilistik. "E dimë nga eksperienca e mëparshme se kur ndodh një fatkeqësi e tillë, ka dy zgjedhje. Mund të tërhiqesh në një qoshe dhe të fshihesh, ose zgjedhja tjetër është të bëhesh i fortë dhe të mbrosh çështje tek të cilat beson. Të dy ne jemi të përkushtuar ndaj kauzës për ta ndryshuar për mirë vendin që e duam kaq shumë, prandaj dhe nuk do të qëndrojmë në një qoshe".

Mes personave që i dha kurajo Elizabeth Edwards ishte edhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Tony Snow, i cili vetë ka luftuar me kancerin dhe mbijetuar. Në anketimet paraparke, John Edwards është i treti në radhë mes kandidatëve presidencialë të partisë demokrate, pas senatorëve Hillary Clinton dhe Barak Obama. Por Edwards ka dalë mirë në anketimet e zhvilluara në shtetet ku zhvillohen votimet paraprake të hershme, si Iowa, që do ta fillojë procesin e zgjedhjes së kandidatëve presidencialë në janarin e 2008-ës. //rd//

XS
SM
MD
LG