Lidhje

Havier Solana: B.E.i bashkuar për çështjen e statusit të Kosovës


Shefi i politikës së jashtëme të Bashkimit Evropian, Havier Solana foli mbrëmë në Uashington për çështjet e mëdha me të cilat përballet bota e sotme dhe se si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mund të bashkëpunojnë për zgjidhjen e tyre. Komentet, në të cilat foli edhe për Kosovën, zoti Solana i bëri mbrëmë në një konferencë të organizuar nga Instituti prestigjoz Brookings në Uashington.

Havier Solana, personaliteti politik i cili ka qenë më pranë postit të ministrit të jashtëm të Bashkimit Evropian se askush tjetër, ka një lidhje të veçantë me Ballkanin dhe sidomos me Kosovën. Në kohën e goditjeve ajrore të NATO-s kundër ish Jugosllavisë, ai ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës së Atlantikut Verior.

Zoti Solana tha në konferencë se Bashkimi Evropian e mbështet qendrimin e kryenegociatorit Marti Ahtisari dhe se, meqenëse mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka patur marrëveshje, zgjidhja e statusit mund të duhet të imponohet. "Presidenti Ahtisari ka qenë një udhëheqës shumë i rëndësishëm i Bashkimit Evropian, ka qenë President i Finlandës dhe dhe mendoj se po përpiqet të bëjë një punë shumë të mirë megjithëse mori mbi vete një detyrë tepër të vështirë. Ai po përpiqet për arritjen e një zgjidhjeje, ia ka dorëzuar propozimin Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe propozimi do të shkojë tani në Këshillin e Sigurimit. Qendrimi i Bashkimit Evropian është mbështetja e propozimit të Presidentit Ahtisari. Meqenëse midis dy palëve nuk ka patur marrëveshje, do të jetë ndoshta nevoja për një zgjidhje të imponuar. Dhe një zgjidhje e imponuar mund të arrihet vetëm përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit, e cila të ndryshojë rezolutën e tanishme me të cilën administrohet Kosova."

Kur debati të kalojë në Këshillin e Sigurimit, tha zoti Solana, "mund t’ju garantoj se Bashkimi Evropian do të ketë një qendrim të përbashkët. Kjo është pjesë e territorit të Evropës dhe qendrueshmëria e atjeshme është me rëndësi absolutisht kritike për ne.”

Duke iu përgjigjur pyetjes së Zërit të Amerikës për komplikimet që mund të sjellë qendrimi i Rusisë në zgjidhjen e statusit të Kosovës, zoti Solana shprehu besimin se zgjidhja do të arrihet. "Rusët kanë thënë se propozimi i zotit Ahtisari në formën e tanishme nuk do të jetë i pranueshëm për ta. Kjo do të thotë se ne duhet të angazhohemi me Rusinë për të parë nëse mund të arrijmë një zgjidhje e cila të stabilizojë rajonin e Ballkanit. Kjo do të ishte në interes të Rusisë dhe në interesin tonë. Por jam i bindur se më në fund ne do të gjejmë një zgjidhje e cila do të miratohet në Këshillin e Sigurimit."

Zoti Solana dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Bashkimit Evropian zhvilluan këto ditë bisedime në Uashington për marrëdhëniet dypalëshe dhe statusi përfundimtar i Kosovës ishte një ndër çështjet e diskutuara. //ii

XS
SM
MD
LG