Lidhje

Udhëheqësit evropianë filluan festimet me rastin e 50 vjetorit të BE-së


Udhëheqësit evropianë filluan festimet në Romë, me rastin e 50 vjetorit të krijimit të Organizatës së Komunitetit Evropian, paraardhësja e Bashkimi Evropian. Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe udhëheqës të tjerë nga 27 vendet evropiane, morën sot pjesë në festimet që u zhvilluan në Senatin Italian. Zoti Barroso vlerësoi lart arritjet e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si rajonin më të madh të botës, ku ka paqe, demokraci dhe begati. Kancelarja gjermane Angela Merkel vuri në dukje disa prej arritjeve të Bashkimit Evropian në prag të takimit të nivelit të lartë që do të mbahet në Berlin me rastin e 50-vjetorit të krijimit të organizatës. Në një intervistë të botuar sot, zonja Merkel thotë se Evropa duhet të jetë krenare për lirinë, shtetin ligjor dhe sigurinë që u ka ofruar afro 500 milion vetëve. Ajo tha se gjatë 50 viteve të fundit, evropianët kanë jetuar në paqe, pa braktisur veçoritë e tyre kombëtare. Kur u pyet se si do të duket Evropa 50 vjet më pas, zonja Merkel tha se nuk do të ketë ndonjë federatë evropiane, por Bashkimi Evropian do t’i jetë afruar më tepër objektivit për një ushtri të përbashkët, ndërkohë që do të ruhen vetitë unike të vendeve anëtare. Bashkimi Evropian, i cili sot shtrihet nga Spanja, tek vendet baltike në veri e deri te Bullgaria në lindje, e ka zanafillën e tij te nënshkrimi i Traktatit të Romës më 25 mars 1957. I parë nga Uashingtoni, sot Bashkimi Evropian është sa një aleat i sigurt aq edhe një konkurrent i pakrahasueshëm.

Për zotin Fred Bergsten, ish zyrtar i departamentit të thesarit i cili sot drejton Institutin Peterson të Ekonomisë Ndërkombëtare në Uashington, rritja e Bashkimit Evopian është një ndër historitë e suksesit të shekullit që lamë pas. "Mendoj realisht se integrimi evropian, nga të gjitha ato që ndodhën gjatë 50 vjetëve të shkuar, ishte ndoshta ngjarja më e habitëshme e cila nuk do të ishte parashikuar dot nga skush në histori," thotë zoti Bergsten.

Lëvizja e parë drejt bashkimit erdhi në vitin 1952, pesë vjet përpara Traktatit të Romës, kur gjashtë vendet e para (Franca, Gjermania Perëndimore, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu) bashkuan burimet e tyre të qymyrgurit dhe të çelikut.

Historiani i Universitetit të Harvardit, Çarls Mejer, thotë se synimi strategjik ishte parandalimi i një lufte tjetër midis Francës dhe Gjermanisë. Historian "Ata iu vunë punës për të ndërtuar një treg të përbashkët, për të shtuar tregtinë dhe për të gjetur pa bujë një strukturë politike që do ta lejonte Gjermaninë të rimbëkëmbej por pa u bërë dominuese," thotë historiani.

Amerika, thotë Mejer, e nxiti bashkimin duke u kërkuar evropianëve të bashkëpunonin në aspektin e ndihmës së rindërtimit të pasluftës. Historian "Ne i nxitëm evropianët. Ka rëndësi të dihet se amerikanët gjithnjë kanë qenë në favor të këtij projekti. Ka patur përjashtime kur Tregu i Përbashkët bënte presione përsa i përket politikës së sigurimit. Por edhe në këtë aspekt, mund të themi se duhet të ndjehemi krenarë."

Bashkimi Evropian u pasurua dhe u forcua më shumë pas anëtarësimit të Britanisë, Irlandës dhe Danimarkës në vitin 1973. Zgjerimi ka vazhduar gradualisht deri në vitin 2004, kur 8 ish vende komuniste u anëtarësuan të gjitha menjëherë. Ja ç’thotë Çarls Mejer i Universitetit Harvard. "Në një kuptim, BE-ja është bërë një standard, ndonës kjo fjalë mund të tingëllojë e vjetëruar, pra një standard të qytetërimit evropian për vendet që dolën nga orbita komuniste," thotë zoti Mejer.

Në biznes, kompania më e madhe evropiane me përfshirjen e disa vendeve është Airbus Industry, e krijuar nga Franca dhe Gjermania në vitin 1970. Reforma monetare kërkoi më tepër kohë dhe vetëm në vitin 1999, 11 vende evropiane ranë dakord të zëvendësonin paratë e tyre me euron. "Krijimi i euros është një ngjarje historike. Ajo nënkupton se vendet e ndryshme hoqën dorë nga sovraniteti për të patur makineritë e veta të shtypjes së parasë. Ato krijuan një para të re, e para në mbi 100 vjet e cila konkuron me dollarin për supremaci botërore," thotë zoti Bergsten.

Ekonomisti Fred Bergsten thotë se Evropa është bërë superfuqia e dytë më e madhe ekonomike e botës. Me një popullsi prej 493 milion banorësh dhe një GDP më të madhe se ajo e Shteteve të Bashkuara, Bashkimi Evropian është sot tregu më i madh në botë. //ad//

XS
SM
MD
LG