Lidhje

Uashingtoni hedh poshtë njoftimet për marrëveshje me Karaxhiçin


Shtetet e Bashkuara përgënjeshtruan një njoftim të botuar në shtypin ballkanik, sipas të cilit Uashingtoni ka bërë një marrëveshje sekrete me të akuzuarin për krime lufte Radovan Karaxhiç, që ai të mos dilte më në skenë, në shkëmbim të sigurisë për jetën.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara i janë përmbajtur dhe vazhdojnë t’i përmbahen qëndrimit se Karaxhiçi është i akuzuar për krime lufte dhe duhet të dorëzohet në Hagë për t’u gjykuar. Ai tha se çdo pretendim tjetër nuk është i vërtetë.

Një numër gazetash ballkanike kanë botuar atë që e cilësojnë si kopje e marrëveshjes ndërmjet Karaxhiçit dhe ish-të dërguarit amerikan për Ballkanin, Riçard Hollbruk. Sipas pretendimeve të shtypit, në bazë të marrëveshjes, Karaxhiçit i ishte ofruar një vend i sigurtë për të jetuar dhe 600 mijë dollarë.

Një ndihmës i zotit Hollbruk i tha Seksionit Bosnjak të Zërit të Amerikës se dokumenti është një falsifikim i qartë.

Karaxhiçi ishte udhëheqës i serbëve të Bosnjes në fillim të viteve ’90. Gjykata e Kombeve të Bashkuara për Krime Lufte në Hagë e ka akuzuar atë për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit. Ai jeton në arrati që në vitin 1996. //ad//

XS
SM
MD
LG