Lidhje

Kosovë: Shënohet tetë vjetori i fillimit të ndërhyrjes në NATO-s


Dita e sotme në Kosovë quhet ditë e shpresës, në përkujtim të tetë vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe. Pas 78 ditë bombardimesh mori fund lufta gati dyvjeçare në Kosovë, e cila në qershor të vitit 1999 u vu nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO-ja.

Drejtues institucionesh e partish politike të vendit e kanë vlerësuar lartë rëndësinë e kësaj dite për historinë e re të Kosovës por edhe tërë rajonit dhe I kanë shprehur mirënjohjen NATO-s për luftën e saj. Ata kanë shprehur bindjen se ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen politike të Kosovës.

Tetë vjet pas fillimit të fushatës së NATO-s, propozimi për statusin politikë të Kosovës është në duart e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Propozimi i hartuar nga krye negociatori ndërkombëtarë Martti Ahtisaari parasheh pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën dhe garanci për pakicat kombëtare. Shqiptarët besojnë në miratimin ndërkombëtarë të këtij propozimi dhe fillimin e shpejtë të zbatimit të vendimit për statusin politikë.

Serbët e Kosovës druajnë ndërkaq nga pavarësia e saj dhe ngulin këmbë në ruajtjen e sovranitetit serb në Kosovë. Propozimi I zotit Ahtisaari pasoi bisedimet mese njëvjeçare ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të cilat nuk shënuan ndonjë përparim.

Një gjendje e ngjashme ishte edhe tetë vjet më parë. Palët dështuan të merren vesh në konferencën e Rambouilletit për t'i dhënë fund luftës së armatosur dhe bisedimet përfunduan më nënshkrimin e marrëveshjes së hartuar nga komuniteti ndërkombëtarë nga ana e shqiptarëve dhe refuzimin e Beogradit për ta pranuar atë marrëveshje, refuzim që u pasua nga goditjet ajrore të NATO-s.

Tetë vjet më vonë Beogradi refuzon të pranojë propozimin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ndërsa Prishtina është pajtuar me këtë propozim që parasheh edhe një prani të fuqishme civile dhe ushtarake ndërkombëtare.

Mbi 17 mijë trupa të udhëhequra nga NATO-ja kujdesen për sigurinë në Kosovë dhe ky numër sipas autoriteteve të Aleancës Veriatlantike do të mbetet I pandryshuar të paktën deri në fund të këtij viti. //rd//

XS
SM
MD
LG