Lidhje

Shtetet e Bashkuara mbështesin planin për pavarësi të mbikqyrur për Kosovën


Në raportin e shumë-pritur në Këshillin e Sigurimit, i dërguari i posaçëm Marti Ahtisaari thotë se “pavarësia është alternativa e vetme funksionale për një Kosovë politikisht të qëndrueshme dhe ekonomisht të suksesshme”. Në të njëjtën kohë, zoti Ahtisari thotë se Kosova nuk është gati të marrë mbi vete çështje si mbrojtjen e pakicave, zhvillimin ekonomik dhe ripajtimin social. Ai rekomandon që një prani ndërkombëtare civile dhe ushtarake të qëndrojë në Kosovë për një “periudhë fillestare” derisa Kosova të ketë aftësinë për të qëndruar mbi këmbët e veta.

Shumica shqiptare e Kosovës e përshëndeti vendimin, por Presidenti i Serbisë Boris Tadiç e cilësoi dje çdo formë pavarësie për Kosovën “të papranueshme.” Ai tha se Serbia vazhdon të jetë e gatshme për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në bisedime të mëtejshme për të ardhmen e Kosovës.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon ndodhet në Lindjen e Mesme, por zëdhënësja e tij Marie Okabe thotë se zoti Ban e pranon konceptin e zotit Ahtisari për pavarësi të mbikqyrur. "Këshillit të Sigurimit i është paraqitur një plan, i cili, sipas mendimit të Sekretari i Përgjithshëm, përmban të gjitha elementet e duhura për një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme për statusin e ardhshëm të Kosovës," tha zëdhënësja.

Nënsekretari amerikan i Shtetit Nicholas Burns ishte në Bruksel, kur u bë publik raporti. Ai shprehu mbështetjen e plotë të Uashingtonit për përfundimet e Ahtisarit. Zoti Burns e shpjegoi propozimin për një “pavarësi të mbikëqyrur” si një mjet për t’i dhënë Kosovës “një rrugë përpara” drejt pavarësisë, ndërkohë që respektohen të drejtat e pakicave etnike të rajonit. "Bashkimi Evropian parashikohet të ofrojë ndihmë ekonomike për një periudhë kohe. Po ashtu plani parashikon që trupat e Natos do të vazhdojnë të ofrojnë siguri dhe do të vazhdojë të ketë parametra sigurie për popullatën serbe për mbrojtjen e kishave, të manastireve të tyre dhe për vetë popullatën serbe, por ne duhet të ecim përpara dhe të punojmë që Kosova të bëhet shtet i pavarur. Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë proces," tha Nënsekretari i Shtetit.

Zoti Burns tha se mendon që Këshillit i Sigurimit i OKB-së mund të miratojë një rezolutë që konfirmon statusin e ardhshëm të Kosovës në prill ose në maj. Vota në Këshillin e Sigurimit komplikohet nga këmbëngulja e Rusisë që zgjidhja të jetë e pranueshme nga të dyja palët. Rusia ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit.

Zoti Ahtisari tha se ka dalë me rekomandimin për pavarësi, vetëm pasi kishte arritur në përfundimin se qëndrimet e të dyja palëve janë aq të papajtueshme, saqë ishte e pamundur të arrihej një zgjidhje me kompromis.

Megjithatë, zoti Burns mbetet optimist. Ai tha për shtypin se parashikon se konsultimet mund të vazhdojnë 5-7 javë për të gjetur rrugën më të mirë para votës në Këshillin e Sigurimit. //ad//

XS
SM
MD
LG