Lidhje

Nasa përgatit harta të hollësishme të Polit të Jugut


Ekspertë të Agjencisë Amerikane të Hapësirës po përgatisin harta me rezolucion të lartë për t’i publikuar në Internet. Shkencëtarët e NASA-s dhe Instituti Amerikan Kërkimor i Gjeologjisë po bashkojnë në një mozaik imazhet e marra nga satelitët, që do të jenë hartat më të hollësishme deri më sot të pejsazheve të ngrira rreth Polit të Jugut. Ky është njëri prej shumë projekteve të financuara nga Shtetet e Bashkuara gjatë Vitit Polar Ndërkombëtar, një projekt ku bashkohen kërkime dhe studime të kryera nga më shumë se 100 vende.

Antarktida është një prej vendeve më pak të shkelura të globit. Shkencëtarët tani e dinë se ndryshimet e klimës atje ndikojnë në mbarë planetin tonë. Në kuadrin e Vitit Polar Ndërkombëtar, NASA, me ndihmën e organizatave të tjera shkencore, po e sjell në internet kontinentin e ngrirë. Robert Bindschaller është shkencëtari kryesor i projektit: "Turistët janë gati të paguajnë dhjetra mijëra dollarë për të vizituar një pjesë shumë të vogël të Antarktidës. Hartat e reja do të krijojnë mundësinë që njerëzit të jenë të aftë ta zgjedhin pikën ku duan të shkojnë, për të parë se si është ajo pjesë e Polit".

Këto janë disa nga 8 mijë imazhet e Antarktidës të marra me satelitët e NASA-s. Mbi një mijë fotografime prej satelitit më të ri të agjencisë, LANDSAT-7, po mblidhen së bashku në një mozaik, duke krijuar hartën më të hollësishme dhe me rezolucion të lartë, që është krijuar ndonjëherë për kontinentin e ngrirë. "Duam që njerëzit të ndjejnë sikur ndodhen në Antarktidë, për t’u treguar atyre se si është kontinenti i ngrirë, në se ata do të kenë fatin të shkojnë atje", thotë zoti Bindschaller.

NASA ka grumbulluar miliona imazhe dixhitale të Tokës, që nga fillimi i programit LANDSAT, mbi 30 vjet më parë. "Imazhet e LANDSAT-it na japin pamje të Tokës që pak a shumë i dimë. Nga këto lloj mozaikësh kemi patur nga e gjithë bota, me përjashtim të Antarktidës".

Në Internet do të publikohen një numër versionesh me ngjyrat përfundimtare që do t’i paraqiten publikut. "Këto filmime japin një pamje reale të ngjyrave të Antarktidës, me një rezolucion të lartë, sa që mund të shihen edhe elementë që u interesojnë shkencëtarëve, si malet, akullnajat, rrymat e akullit dhe ku gjenden bazat e tyre. Është mënyra më e mirë për t’u treguar njerëzve se si është Antarktida". Imazhet e para të NASA-s tashmë janë vënë në internet. Harta e plotë interaktive është në përpunim e sipër dhe mund të përfundojë pas disa muajsh. //rd//

XS
SM
MD
LG