Lidhje

Sot, 25 vjetori i memorialit i Luftës së Vietnamit


Sot mbushen 25 vjet nga fillimi i punimeve për Përmendoren e Veteranëve të Luftës së Vietnamit që ndodhet këtu në Washington DC. Projekti i arkitektes Maja Lin në vitin 1982 ngjalli polemika në atë kohë. Por sot, muri i tij shihet si një shembull i një memoriali që të emocionon.

Memoriali i Luftës së Vietnamit është quajtur një nga memorialet më prekës dhe më domethënës. Për 25 vjet me radhë veteranët e ushtrisë amerikane dhe vizitorë nga mbarë bota shkojnë në Përmendoren e Veteranëve të Vietnamit në Washington për të kujtuar dhe nderuar ata që u vranë në luftë. Veteranë si Steve Ryan që shërbente si infermier nga viti 1968 deri në vitin 1972. Ai po e viziton memorialin për herë të parë: "Jam shumë i emocionuar dhe i dëshpëruar por në të njëjtën kohë ndjehem i lumtur që jam këtu, pasi gjithmonë kam menduar për shumë nga shokët e mij pas vitit 1968. Këtu shoh disa prej emrave të tyre", thotë veterani.

Në murin e zi prej graniti janë gdhendur më shumë se 58 mijë e 200 emra. Ky është një vend ku veteranët nga mbarë Shtetet e Bashkuara takohen, kujtojnë dhe nderojnë shokët e tyre të rënë. Disa kërkojnë emrat e miqve dhe anëtarëve të familjeve të tyre me mallëngjim. Të tjerë si Frank Stroble tregojnë histori me veteranë të tjerë. Ai ka qenë pilot në luftë, nga viti 1969 deri në 1970-ën: "Më bën të përlotem sa herë vij këtu. Më sjell kujtime pasi shumë nga emrat në mur i mbaj mend dhe kur i lexoj më vijnë shokët e mi para syve, sikur çdo gjë të kishte ndodhur dje".

Vullnetarët në përmendore janë në pjesën më të madhe veteranë ose anëtarë të familjeve që kanë emrat në mur. Ata janë këtu për të ndihmuar vizitorët. Shohin emrat në regjistër, i kopjojnë në letër dhe dëgjojnë vizitorët tek shprehin ndjenjat e tyre. Çak Schueckler ka shërbyer gjithashtu si pilot helikopteri në Vietnam: "Pas luftës, shumë anëtarë të familjeve që kishin humbur të afërmit nuk donin të flisnin për të rënët në luftë. Kështu që kur vijnë këtu dhe shohin emrat u jepet mundësia të flasin me dikë për ta".

Përmendorja e Veteranëve të Vietnamit është caktuar për të marrë këtë vit çmimin e Arkitektëve të Institutit Amerikan. Çmimi jepet për punime arkitektonike që u rezistojnë kohërave. Për shumë veteranë si John Staggs, muri do të jetë gjithmonë simbol i çmuar i vlerës më themelore amerikane. "Liria, pa dyshim", thotë John. Këta burra dhanë jetë e tyre për atë vlerë mbi të cilën është ndërtuar ky vend dhe tek e cila ai beson. //rd//

XS
SM
MD
LG