Lidhje

Shtohet numri i senatorëve amerikanë që kërkojnë shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm


Prokurori i Përgjithshëm Gonzales këmbëngul se ai nuk ishte pjesë e diskutimeve për shkarkimin e prokurorëve amerikanë në dhjetor të vitit të kaluar. Ai tha se shkarkimet ishin të bazuara në punën e dobët, që bënë prokurorët dhe se ndihmësi i tij i lartë Kajëll Sampson u mor me të gjitha hollësitë.

“Nuk pashë kurrë dokumentat, kurrë nuk diskutova me të rreth procesit të shkarkimit. Ajo që unë dija ishte se zoti Sampson ishte në krye të një procesi, që vazhdonte.”

Por dokumenta të publikuara të premten e kaluar duket se kontradiktojnë deklaratat e zotit Gonzales. Dokumentat e publikuara nga Departameti i Drejtësisë tregojnë se prokurori i Përgjithshëm mori pjesë në një takim më 27 nëntor për të diskutuar shkarkimin e prokurorëve federalë.

Senatorja demokrate nga Kalifornia, Dajen Feinstajn, thotë se në se kjo është e vërtetë, atëhere Prokurori i Përgjithshëm, ka gënjyer.

“Në këtë rast, Prokurori i Përgjithshëm e tha fare qartë se nuk kishte parë ndonjë memorandum dhe as nuk kishte marrë pjesë në ndonjë diskutim. Tani është konfirmuar se kjo dekaratë nuk është e vërtetë. Më shqetëson kjo gjë sepse kemi të bëjmë me një gënjeshtër lidhur me një çështje shumë serioze.”

Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka kontradikta midis deklaratave të zotit Gonzales dhe informacionit në dokumentat e publikuara të premten. Zëdhënësja Dana Perino tha se presidenti Bush këmbëngul në publikimin e të gjithë memorandumeve të Departamentit të Drejtësisë.

“Prokurori i Përgjithshëm gëzon besimin e presidentit. Ne e kuptojmë që kongresi pati disa pyetje për të cilat donte përgjigje. Edhe presidenti donte që të bëheshin gjërat të qarta.”

Të dielën në programe të ndryshme televizive, më shumë senatorë republikanë iu shtuan zërave për dorëheqjen e Prokurorit të Përgjithshëm Gonzales. Mes tyre senatori Lindsi Grehëm.

“Ai ka thënë disa gjëra që nuk përputhen dhe si rezultat është dëmtuar.”

Por jo çdo kush beson se zoti Gonzales duhet të japë dorëheqjen. Ja si u shpreh senatori republikan, Trent Lot.

“Kjo është thjeshtë një zhurmë e madhe. Po bëhet bujë, ndërsa nuk ka prova për ndonjë veprim të papërshtatshëm apo jo të ligjshëm.”

Xhon Mekei, njëri prej prokurorëve të shkarkuar, tha se presidenti duhet të marrë një vendim.

“Mendoj se mbi Departamentin e Drejtësisë është një re, që duhet hequr.”

Senatori Arlen Spektër, kryetar i Komisionit Juridik të Senatit, i cili mbikqyr punën e Departamentit të Drejtësisë, tha se do të qëndrojë neutral deri sa të dëgjojë dëshminë e zotit Gonzales.

“Ne duhet të kemi një prokuror të përgjithshëm të sinqertë dhe të ndershëm. Dhe nëse ne arrijmë në përfundimin se ai nuk ka qënë i sinqertë dhe i ndershëm, kjo është një arsye shumë e fortë që ai të japë dorëheqjen.”

Zoti Gonzales ka në plan të dëshmojë para Komisionit Juridik të Senatit muajin e ardhshëm. Ndihmësi i lartë i Prokurorit të Përgjithshëm Kajëll Sampson, i cili dha dorëheqjen para 2 javësh, ka në plan të dëshmojë të enjten. //ze//

XS
SM
MD
LG