Lidhje

Bugajski: Rusia po e shfrytëzon për vete qëndrimin ndaj Kosovës

  • Intervistoi: Konda

Analisti i njohur i çështjeve ballkanike, Janush Bugajski, thotë se Rusia po e shfrytëzon qëndrimin ndaj Kosovës për avantazhet e saj, duke u përpjekur ta dëmtojë unitetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian dhe duke i nxitur disa nga vendet e BE-së me frikën e separatizmit, nëpërmjet krijimit të një precedenti me Kosovën. Në këto kushte, thotë analisti, SHBA duhet të mbajnë marrëdhënie të ngushta me BE-në dhe t’i tregojnë Rusisë avantazhet e pranimit të planit Ahtisari.

Zëri i Amerikës: Zoti Bugajski, javën e kaluar Rusia u shpreh kundër planit Ahtisari dhe ekziston rreziku që ajo të verë veton ndaj një rezolute për Kosovën. Megjithatë, a ekzistojnë mundësi dhe shpresa që Rusia mund ta ndryshojë mendjen lidhur me këtë çështje?

Janush Bugajski: Ka kurdoherë shpresa, çështja është se kur Rusia ta ndryshojë pozicionin e saj, a do të jetë ajo dakord me planin, apo do ta abstenojë atë dhe sa kohë do të kalojë? Problemi nuk është vetëm tek pranimi, por tek vonesat. Në se do të ketë vonesa të pafund, në se Rusia do të kërkonte negociata të reja, një ndërmjetës, apo një proces të ri negociatash, kjo do të çonte në zhgënjime më të mëdha në Kosovë dhe ndoshta edhe pasiguri në vend. Pra, nuk shtrohet çështja në se Rusia do ta miratojë apo jo, por kur do ta miratojë dhe çfarë mundet të bëjë ajo ndërkohë?

Zëri i Amerikës: Në këto kushte, a mendoni se do të ishte e nevojshme të zhvillohej një diplomaci e nivelit të lartë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë?

Janush Bugajski: Kjo po ndodh tani prapa skenës; dhe është shumë e rëndësishme, pas të gjitha atyre që kanë ndodhur në të shkuarën të dy kryeqytetet kryesore, Uashington dhe Moske. Rusia, fatkeqësisht po përpiqet ta dëmtojë unitetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, duke i nxitur disa nga vendet e BE-së me frikën e separatizmit, nëpërmjet krijimit të një precedenti me Kosovën. Prandaj, SHBA-së i mbetet të bëjë disa gjëra: të mbajë marrëdhënie të ngushta me BE-në, jo vetem me Grupin e Kontaktit por me BE-në në tërësi dhe së dyti t’i tregojë Rusisë avantazhet e pranimit të planit; por kjo është një luftë shumë e vështirë diplomatike.

Zëri i Amerikës: Përse Moska e kundërshton planin Ahtisari: e kundërshton atë në parim, si një rrezik për krijimin e një precedenti për disa ish-republika ruse, apo ngaqë do ta theksojë rolin e vet si superfuqi, ngaqë kohët e fundit ndjehet më e fuqishme ekonomikisht?

Janush Bugajski: Ka disa arsye, por ndoshta për dy arsye kryesore: për të treguar se vazhdon të jetë një lojtar ndërkombëtar i rëndësishëm, që roli i saj të mbahet parasysh nga Perëndimi dhe Bashkimi Evropian. Së dyti, do të thoja, ngaqë rusët duan të përfitojnë sa më shumë nga i gjithë ky proces, i pranimit të pavarësisë e Kosovës, që unë personalisht mendoj se do të arrihet. Kjo nuk ka të bëjë aspak me dashurinë ndaj Serbisë, por për ta përdorur Serbinë në avantazhin e vet dhe shpejt, a vonë, ata mund ta mirëpresin precedentin, sepse kjo mund t’i shërbejë atyre, duke u dhënë argumente të tjera për ndarjen e Moldavisë, apo Gjeorgjisë, dy rajone që kanë po ashtu rajone që mund t’i shkëputen. Pra, mund të them se Rusia po e shfrytëzon qëndrimin ndaj Kosovës për avantazhet e saj.

Zëri i Amerikës: Nënsekretari i Shtetit Nikolas Bërns, në një konferencë shtypi në Bruksel, tha se e mbështet planin Ahtisari dhe pavarësinë e kushtëzuar për Kosovën. Ai tha gjithashtu se mendohet që Këshilli i Sigurimit të votojë në prill, ose në maj për çështjen e Kosovës. Duket se procesi po përshpejtohet, a po bëhet kjo për arsye se ka shqetësime për rrezikun e shpërthimit të dhunës në rajon, apo ka të bëjë kjo me faktin se në maj SHBA marrin presidencën e radhës të Këshillit të Sigurimit?

Janush Bugajski: Ka disa arsye. E para, do të thoja është se administrata ka afate, prandaj do që kjo çështje të marrë fund deri në shtatorin, apo tetorin e këtij vit, vendimi i OKB-së, pranimi ndërkombëtar i Kosovë, kushtetuta e saj, të gjitha këto janë, plus arsye diplomatike me Rusinë. Kjo e detyron Moskën të respektojë edhe vendime të tjera të Këshillit të Sigurimit për çështje të tjera, po të supozojmë se Kina do të abstenojë. Po ashtu, do të thoja se Shtetet e Bashkuara kanë shumë çështje të tjera në plan, saqë administrata Bush do që t’i japë fund zgjidhjes së kësaj çështjeje dhe t’ia lerë Bashkimit Evropian në ngarkim që ta drejtojë këtë proces dhe t’i largojë trupat e tyre prej andej, për t’i përdorur ato gjetkë.

Zëri i Amerikës: Në se Rusia i ve veton Rezolutës së re të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, atëhere do të kishim skenarin tjetër, kur vendet e ndryshme do ta njihnin veçazi atë. A do të ishte ky skenar, opsioni i mundshëm, më i mirë për Kosovën?

Janush Bugajski: Mundet që ai të jetë opsioni i vetëm. Nuk besoj se do të shkojë puna deri tek vendosja e vetos nga Rusia. Në se do ta dinim që Rusia do ta bënte këtë, atëhere çështja nuk do të çohej fare në Këshillin e Sigurimit, sepse kjo do të ishte një diçka aspak e mirë. Atëhere kjo çështje do të ishte fakt i kryer, me fjalë të tjera, BE, NATO, SHBA, do të thonin se e pranojnë planin Ahtisaari dhe të gjitha pasojat e tij dhe atëhere qeveria e Kosovës do ta pranonte planin tërësisht dhe do ta shpallte vetë pavarësinë pra do t’u mbetej vendeve të veçanta ta njihnin atë. Për sa kohë që nuk ka ndarje mes vendeve të BE-së, situata të ngjashme patëm në vitin 1991, kur disa vende e njohën Slloveninë dhe Kroacinë dhe disa jo. Më vonë edhe vendet e tjera i njohën ato, por u desh një kohë e gjatë dhe mbetën ndjenja të pakëndshme mes vendeve të ndryshme të BE-së. Prandaj, shpresojmë që ky skenar të mos përsëritet më dhe që të kemi një front sa më të madh të bashkuar për njohjen e Kosovës.

Zëri i Amerikës: A mendoni se procesi në Këshillin e Sigurimit do të jetë i vështirë lidhur me një rezolutë të re për çështjen e statusit të Kosovës?

Janush Bugajski: Shumë i vështirë, veçanërisht me Rusinë, sepse Kina ndoshta do të abstenojë, nga votimi përfundimtar, edhe për faktin se ata nuk kanë interes për të rrezikuar prestigjin e tyre. Ata nuk duan të krijojnë probleme me SHBA-në dhe me BE-në. Rusia nuk do t’ia dijë: ajo ndjehet më e fortë, ajo ndjehet e fuqishme parakomunitetit ndërkombëtar. Por para votimit, në Këshillin e Sigurimit, do të jemi dëshmitarë të shumë replikave të ashpra, apo edhe negociatave të vështira.

Zëri i Amerikës: A mendoni se ka vend për shqetësim se mund të ketë dhunë në rajon?

Janush Bugajski: Ekziston gjithmonë mundësia, por e mira është se nuk do të ketë dhunë të drejtuar nga shteti. Nuk shoh mundësinë që Beogradi, apo ndonjë vend tjetër në rajon të eksportojë dhunë, siç bëri Sllobodan Millosheviçi. Po ashtu, grupet kryesore militariste aje nuk janë më aktivë si më parë. Ndoshta mund të ketë provokime me bombë, vrasje, ndoshta protesta me dhunë. Në Kosovë, rreziku më i madh është zhgënjimi i njerëzve ndaj komunitetit ndërkombëtar, në se nuk do të ketë përparim drejt pavarësisë, apo zhgënjim me politikanët e vet. Ky është rreziku dhe kjo mund të marrë ngjyra etnike, që do të ishte tragjike për Kosovën.

XS
SM
MD
LG