Lidhje

Reagimet e Tiranës për planin Ahtisari


Entuziazëm në Tiranë për zhvillimet e djeshme në Kombët e Bashkuara ku kryenegociatori Marti Ahtisari dorëzoi planin e tij për statusin përfundimtar të Kosovës dhe propozoi pavarësinë e mbikqyrur si opsionin e vetëm realist dhe të qëndrueshëm.

Presidenti Alfred Moisiu gjatë një takimi me një grup të rinjsh nga Kosova është shprehur sot se pavarësia është zgjidhja më e drejtë dhe e qëndrueshme e cila do të gjeneronte paqe dhe stabiitet në rajonin e Ballkanit. Ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj ka shprehur mirënjohje të thellë për punën e devotshme dhe kontributin e jashtëzakonshëm të presidentit Ahtisari: “Rekomandimi i bërë nga ana e tij, në përmbyllje të këtij procesi, të formuluara tashmë me termin “pavarësi e mbikqyrur” merr në konsideratë rrethanat historike, realitetin e tanishëm, si dhe nevojën urgjente për stabilitet politik dhe ekonomik në Kosovë”.

Ministri Mustafaj ka bërë thirrje faktorit politik në Kosovë që në këtë fazë të rëndësishme deri në finalizimin e statusit nga Këshilli i Sigurimit, të vazhdojë të jetë në partneritet të plotë me komunitetin ndërkombëtar. Kosova duhet të dijë të ruajë arritjet e saj. Kërkohet maturi dhe vetpërmbajtje si dëshmi e standarteve të plotësuara nga shoqëria dhe institucionet e Kosovës për të merituar shtetin e pavarur, ka deklaruar Ministri i Jashtëm.

Zoti Mustafaj do të niset nesër për në Nju Jork ku pritet të zhvillojë takime me ambasadorët e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit para hapjes së debatit në fillim të muajit të ardhshëm. E vetmja pikëpyetje është qëndrimi i Rusisë, por Tirana shpreson se Moska nuk do të aplikojë të drejtën e vetos.

E njëjta shpresë është shfaqur edhe nga kryetari socialist Edi Rama sipas të cilit Këshilli i Sigurimit nuk do të ngurojë të miratojë propozimet e zotit Ahtisari si i vetmi kompromis që garanton bashkëjetesën e shqiptarëve dhe serbëve: “Sot, për të gjithë shqiptarët është një moment historik, shpresat e bashkëkombasve tanë në Kosovë për të ushtruar të drejtën e vetëvendosjes, si parakusht për ndërtimin e një shoqërie të hapur, demokratike e shumëetnike, po marrin formën e aspiruar prej një kohe shumë të gjatë”. Sipas zotit Rama hapi i djeshëm do të shërbejë për të hapur një horizont të ri drejt normalizimit të plotë të Ballkanit dhe krijimit të një hapësire paqeje e zhvillimi të qëndrueshëm për të gjithë popujt e rajonit. //rd//

XS
SM
MD
LG