Lidhje

Bush: "Do t’i ve veton projekt-ligjit mbi buxhetin e luftës në Irak"


Presidenti Bush thotë se do të bllokojë çdo përpjekje të Kongresit për të caktar një afat për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku.

Senati amerikan debatoi dje mbi një projekt-ligj për shpenëzimet e luftës, ku përfshihej edhe një afat për kthimin e trupave në atdhe.

Por presidenti Bush i bëri thirrje Kongresit të ndërpriste lojrat politike dhe të siguronte fondet vitale për trupat në Irak. Presidenti tha se ka shenja përparimi në Irak, si zbulimi i rezervave me armë dhe arrestimi i udhëheqësve terroristë.

Udhëheqësi i shumicës në Senat, Herri Riid, tha se shpreson që presidenti do të pranojë të punojë me Kongresin për të arritur në një zgjidhje të pranueshme për të dyja partitë.

Demokratët siguruan me rezultat të ngushtë një fitore të martën në Senat, për të ruajtur një dispozitë në një projekt-ligj për fondet e luftës, që do të caktonte një afat jo të detyrueshëm për tërheqjen e trupave luftuese amerikane nga Iraku, brenda marsit të vitit 2008.

Don Robinson Uashington 29/3/2007

Ndërkohë që Kongresi i kontrolluar nga demokratët dhe presidenti Bush po shkojnë drejt një përplasjeje mbi fondet për misionin ushtarak amerikan në Irak, dëshmitë e ekspertëve përpara një komisioni të Kongresit dhanë një tablo të ndryshme mbi përparimet në procesin e stërvitjes së forcave ushtarake dhe policore irakiane. Dan Robinson, i Zërit të Amerikës, njofton nga Kongresi amerikan.

Presidenti Bush dhe republikanët në Kongres vazhdojnë të thonë se në Irak janë shënuar përparime, duke cituar thëniet e departamentit të mbrojtjes dhe zyrtarëve të ushtrisë lidhur me rritjen e efektivitetit të forcave të stërvitura irakiane.

Dje presidenti Bush citoi ato që i cilësoi si shenjat e para të suksesit, duke filluar nga krijimi i të paktën 9 batalioneve dhe bashkëpunimit midis komandantëve amerikanë dhe irakianë, e deri tek zbulimi i rezervave të armëve dhe arrestimit të udhëheqësve ekstremistë.

Sipas presidentit, të gjitha këto japin shpresa se irakianët eventualisht do të jenë të aftë të marrin përgjegjësinë e sigurisë nga forcat amerikane.

“Kjo është edhe përgjegjësia që kërkojnë 12 milionë irakianët që votuan. Ne duhet vetëm t’u japim pak kohë për të fituar besimin dhe për të arritur aftësinë e nevojshme për të mbrojtur vendin.”

Por në seancën e fundit të organizuar nga nën-Komisioni i Dhomës së Përfaqësuesve për Kontrollin e Forcave të Armatosura, ligjvënësit ngritën pyetjen e mëposhtme nëpërmjet kreut të këtij ekipi, Martin Mehan.

“A është e mundur që forcat irakiane të sigurisë të marrin përgjegjësinë në mbrojtjen e vendit brenda janarit të vitit 2008?”

Ekspertët thanë se përparimi në stërvitjen e forcave irakiane nuk mund të jetë në nivelin e paraqitur nga administrata e presidentit Bush dhe zyrtarët e ushtrisë amerikane.

Analisti Anthoni Kordesman, pranë Qendrës për Studime Strategjike Ndërkombëtare, beson se forcat irakiane, ushtarake dhe policore, janë vite larg nga aftësia për të marrë përgjegjësitë kryesore të sigurisë, aq më tepër përpara 2008-tës, kur Kongresi, presidenti dhe zyrtarët ushtarakë do të dëshironin të shikonin këtë kalim përgjegjësie.

“Unë kam parë se ne jemi nxituar të dërgojmë në fushën e betejës reparte ushtarake irakiane të pastërvitura si duhet, të papajisura si duhet dhe pa eksperiencën e duhur. Kam parë se ne kemi krijuar praktikisht një forcë që ndoshta mund të fitojë ndonjëherë, por e cila nuk është e gatshme të marrë përsipër ruajtjen e sigurisë.”

Zoti Kordesman dha një vlerësim të ashpër të statistikave për forcat irakiane.

“Shumica e njoftimeve mbi gadishmërinë e forcave irakiane dhe përparimin në zhvillimin e tyre, janë të të njëjtit nivel me gënjeshtrat, mashtrimet, shtrembërimet dhe mënjanimet e së vërtetës që kam parë në Vietnam. Nuk ka ndershmëri në njoftimet mbi numrin e forcave dhe numrin e reparteve irakiane në terren.”

Megjithatë ai shtoi se është arritur një përparim dhe mund të vazhdohet me atë që ai e cilësoi si programin afatgjatë dhe të ndershëm të zhvillimit të forcave që mund të zgjatë nga 3 deri në 5 vjet. Kjo tha zoti Kordesman do të kërkonte një mbështetje dypartiake nga Kongresi dhe një përparin drejt pajtimit nga ana e irakianëve.

Robert Perito nga Instituti Amerikan i Paqes, pajtohet me zotin Kordesman se statistikat amemrikane kanë qenë mashtuese dhe jep këtë tablo të forcave irakiane të policisë.

“Këto statistika janë mbresëlënëse por ato maskojnë një realitet ma trazira. Në të vërtetë autoritetet e ushtrisë amerikane nuk ishin në dijeni mbi numrin e policëve ose qendrave policore në Irak. Ata nuk e dinin se sa nga personat që kishin marrë pjesë në programet e stërvitjes shërbenin aktualisht me forcat policore, ose të kishin idenë e numrit të armëve që ishin shpërndarë. Policia irakiane nuk ishte e aftë të frenonte krimet ose të mbronte qytetarët irakianë. Policia irakiane nuk mund të kontrollonte kufijtë e vendit, madje disa nga ekipet komando të policisë irakiane kanë vepruar si ekipet sektare të vdekjes.”

Fred Kegan nga Instituti Amerikan Entërprajs, përshkruan si të ekzagjeruara dhe jorealiste pretendimet që presidenti Bush dhe të tjerë u munduan të paraqitin se forcat irakiane mund të marrin së shpejti përsipër përgjegjësinë e sigurisë së vendit. Por ai thotë se Shtetet e Bashkuara patën sukses në krijimin e një ushtrie irakiane vullnetare në 4 vjet.

Zoti Kegan shton se është e pamundur të parashikosh se kur do të bëhet kalimi i përgjegjësisë për sigurinë tek irakianët. Problemet e procesit të arritjes së paqes në një vend të përfshirë nga një kryengritje në shkallë të gjerë dhe konfliktet fetare, mund t’i kalojnë aftësitë e forcës së re irakiane.

Ekspertët pajtohen se pengesa më e madhe për sigurinë mbetet mungesa e një pajtimi politik, një arritje e rëndësishme që po nxitet nga presidenti Bush dhe nga anëtarët e Kongresit nga të dyja partitë politike. //iç//

XS
SM
MD
LG