Lidhje

Sejdiu: I kam ftuar vetë vendet e KS të OKB të vizitojnë Kosovën


Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Agim Çeku shprehën besimin e tyre se edhe Rusia, e cila nuk është pajtuar me propozimin e krye negociatorit Marti Ahtisari për një pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën do të jetë faktor i rëndësishëm në procesin e udhëhequr nga Këshilli i Sigurimit ashtu siç ishte edhe në Grupin e Kontaktit.

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin i ka kërkuar Këshillit të Sigurimit një rishikim të zbatimit të rezolutës 1244 në Kosovë para se të fillojë shqyrtimi i propozimit për statusin e saj.

“Nisur nga nevoja që Këshilli i Sigurimit t'i ketë të gjitha informacionet e mundshme mbi situatën në Kosovë, para se të shqyrtojë këtë propozim, Këshilli i Sigurimit duhet të dërgojë një mision në Beograd dhe në Prishtinë, për t'u njohur nga afër me gjendjen aktuale të zhvillimeve dhe në këtë mënyrë të grumbullojë të gjitha informacionet e nevojshme për një shqyrtim të tillë”, ka thënë ambasadori Çurkin.

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se nuk ka asnjë kundërshtim ndaj propozimit për një vizitë të përfaqësuesve të Këshillit të Sigurimit në Kosovë. “Atë propozim e kam bërë vetë gjatë qëndrimit në Nju York. Unë i kam ftuar vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit, ejani e shihni Kosovën e re, ejani e shihni jetën reale si është zhvilluar në Kosovë, dhe ejani e shihni përkushtimin e institucioneve dhe popullit të Kosovës, se ku duam të ecim dhe cila është dëshmia jonë në këtë drejtim. Në veçanti, i kam ftuar përfaqësuesit e atyre vendeve, që ende nuk kanë një deklarim të qartë rreth statusit; ta zëmë ndonjë vend nga Afrika, Indonezia e largët apo Amerika Latine”, tha ai.

Presidenti Sejdiu, i cili morri pjesë sot në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, tha se intensiteti i veprimtarive politike ndërkombëtare rreth Kosovës dëshmon përkushtimin për përmbylljen sa më parë të këtij procesi.

Kryeministri Agim Çeku tha ndërkaq se Kosova duhet të jetë e gatshme të marrë mbi vete të gjitha detyrimet që i takojnë në këtë periudhë përfundimtare të përmbylljes së statusit të saj politikë.

“Dhe kjo kërkon nga të gjithë që të jemi të bashkuar, kërkon stabilitet politik, funksional dhe angazhim të rritur diplomatik në javët e ardhshme që ndodhen para nesh”, tha kryeministri Çeku.

Qeveria e Kosovës i ka të gjitha mundësitë për zbatimin e vendimit për statusin e Kosovës tha kryeministri Çeku, i cili mori sigurimet e presidentit për vazhdimin e punës së qeverisë së koalicionit të drejtuar prej tij. //ze//

XS
SM
MD
LG