Lidhje

Interneti dhe përhapja e informacioneve


Në të kaluarën, vetëm një elitë e vogël mjetesh informimi, si gazetat, rrjetet televizive dhe korporatat e mëdha kontrollonin pjesën më të madhe të informacionit. Por me përhapjen e Internetit, gjithnjë e më shumë njerëz po arrijnë të marrin direkt informacione të pafiltruara të të gjitha llojeve. Bizneset po e njohin këtë prirje dhe po përpiqen të përfitojnë prej saj.

Më shumë se 100 milion njerëz hyjnë në faqen elektronike MySpace.com. Përdorues nga vende e kontinente të ndryshme, takohen aty përmes internetit për të shkëmbyer informacione rreth thuajse çdo gjëje.

Sistemi Google, më i madhi për kërkimet në Internet, ka një mesatare prej mbi 100 milion kërkimesh në ditë. Njerëzit nga i gjithë globi bëjnë thuajse miliarda kërkime çdo muaj. Informacioni ka qënë gjithnjë një produkt në botën e biznesit. Tani atë e shfrytëzojnë më shumë konsumatorë kur përdorin Internetin. Por ekzekutivi i sistemit Google, Erik Shmid, paralajmëron se me që ka kaq shumë informacion dhe kaq shumë njerëz që e përdorin atë, disa bizneseve u duhet të ngrenë zërin që të dëgjohen. “Çdo informacion në Internet mund të shihet si një lëvizje loje. Në se nuk të pëlqen një informacion, mund të përhapësh informacion të gabuar”, thotë Shmid.

Në fillim të këtij viti, kompania gjigande e kompjuterëve Mikrosoft dëmtoi veten kur u përpoq të përmirësonte imazhin. Kritikët u ankuan se kjo kompani ishte përpjekur të paguante njerëz që ata të shkruanin për të në faqen e enciklopedisë pa pagesë, Wikipedia. Mikrosofti thotë se kjo nuk është e vërtetë.

Një përfaqësues i kompanisë i tha Zërit të Amerikës se Mikrosofti thjesht ofroi të paguante një ekspert të jashtëm për të korregjuar disa informacione për kompaninë në Wikipedia. Ekzekutivi i firmës Google, Shmid thotë se kritikat në adresë të Mikrosoftit janë një produkt i botës së re të biznesit të informacionit: “Mund të ketë biznese që për të arritur një objektiv të caktuar përhapin dizinformacion, që mund ta quajmë ‘bizinformacion’. Pa pritur e pa kujtuar, informacioni merr rëndësi dhe në këtë botë të re është vështirë të dallohet nëse ai është pjesërisht apo krejtësisht fals.”

Edhe qeveritë e dinë këtë dhe disa prej tyre marrin masa kundër informacioneve që nuk u pëlqejnë. Grupi për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve, Gazetarët pa Kufij, thotë në raportin e tij të fundit se 52 veta janë aktualisht në burgje në Kinë sepse kanë kritikuar politikën qeveritare për informacionin në Internet. 10 veta të tjera mbahen në burg në vende të tjera nën të njëjtat akuza. Firma Google, mes të tjerësh, shpesh kritikohen sepse pranojnë të censurohen për të funksionuar në vende si Kina. Por, thotë zoti Shmid, me shtrirjen e Internetit edhe në zona të largëta, informacioni do të ndihmojë gjithnjë e më shumë njerëz. “Ata do të mësojnë se qeveritë e tyre nuk po i trajtojnë ata si duhet. Do të mësojnë se një qytet tjetër ka burime më të mira, kujdes më të mirë shëndetsor, arsim më të mirë e kështu me radhë. Dhe këçshtu ata do të mbeten të pakënaqur.”

Dhe ky rol i internetit do të ndryshojë ndjeshëm marrëdhëniet mes kompanive nga njëra anë dhe konsumatorëve individë dhe qeverive të tyre nga ana tjetër. //rd//

XS
SM
MD
LG