Lidhje

Në Tiranë propozohet një ligj i ri kundër gjakmarrjes


"Forumi i Mendimit të Lirë" publikoi të mërkurën një projekt-ligj për të parandaluar dhe luftuar gjakmarrjen.

Kjo organizatë joqeveritare në bashkëpunim me disa nga juristët më të mirë të Tiranës, hartuan projektligjin që parashikon ngritjen pranë qeverisë të një komiteti për parandalimin dhe luftimin e gjakmarrjes. "Gjakmarrja dhe ngujimi nuk mund të shërohen me mëshirën e të tjerëve, as me manifestime, peticione apo seminare. Ato shërohen vetëm përmes ligjit, angazhimit të shtetit dhe institucioneve të tij" - thotë Mentor Kikia, drejtues i "Forumit të Mendimit të Lirë".

Ndërsa gjyqtari Artan Hoxha, anëtar i Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, thotë se Komiteti është i domosdoshëm për të mbledhur informacion të saktë dhe për të hartuar një strategji kundër gjakmarrjes, duke bashkërenduar veprimtarinë e institucioneve të tera shtetërore. "Propozimi ynë është që shteti ta marrë përsipër këtë detyrim përmes krijimit të një strukture dhe institucioni të përhershëm, jo si deri tani vetëm me disa mbledhje rastësore" - thotë zoti Hoxha.

Sipas të dhënave të Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar, në 23 rrethe të vendit janë të ngujuara për shkak të gjakmarrjes 1376 familje. Midis të ngujuarve të rritur, burra e gra, janë edhe 711 fëmijë nga 1 deri në 18 vjec, të cilët lindin të mbyllur në shtëpi dhe braktisin shkollat. "Unë shpreh vullnetin tim për ta mbështetur draftin. Ne mund të marrim nje nismë me një grup deputetësh për ta futur në procedurë parlamentare. Besoj se edhe deputetë të tjerë në Palrament do ta mbështesin" - thotë Lajla Përnaska, deputete e Tiranës.

Gjakmarrja është përhapur në të gjithë territorin e vendit për shkak të lëvizjeve të mëdha të popullatës, por më e përqëndruar është në Shkodër, Tropojë e Kukës, gjithashtu në Tiranë e Durrës, por edhe në Fier, Berat e Lushnje. "Pushteti gjyqësor ka një rol shumë të rëndësishëm në goditjen e kësaj dukurie. Sepse është shumë e rëndë për familjet e dëmtuara nga gjakmarrja, që të shohin vrasësit e njerëzve të tyre që të dënohen vetëm pesë ose dhjetë vjet burg, ose edhe të lirë" - thotë Aleksandër Biberaj, deuptet i Tropojës.

Gjakmarrja dhe ngujimi përbëjnë një nga shkeljet më të rënda të të drejtave njerëzore në Shqipëri. Kjo dukuri jo vetëm kërcënon jetën e familjeve dhe fëmijëve, por edhe pengon zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të zonave ku është përhapur. //rd//

XS
SM
MD
LG