Lidhje

Basketbollisti i Uashingtonit hyn në librin Guines të rekordeve


Sun Ming Ming të befason kur e sheh. 23-vjeçari, i skuadrës Nighthawks të Marylandit, është 2 metra e 36 centimetra i gjatë dhe peshon 168 kilogramë. Kjo do të thotë se ai është 10 centimetra më i gjatë se ylli i NBA Yao Ming, po ashtu nga Kina. Ardhja e Sunit në skuadrën Nighthawks këtë sezon, e ndihmoi ekipin me nivel të ulët profesional të tërheqë më shumë tifozë në pallatin e sportit të qytetit universitar në Rockville të Marylandit.

Pronari i skuadrës, Tom Doyle i tha Zërit të Amerikës se Suni është një anëtar i ri, i mirëpritur në ekip.

"Eshtë një ngjarje e shkëlqyer. Mendoj se ai e ka potencialin dhe kjo është pjesë e punës së ligave më të vogla dhe e të gjitha organizatave, që të punojnë me lojtarët e rinj, në përpjekje për t’i çuar ata një nivel më lartë. Unë e dija se ai do të ishte një lojtar që do të përshtatej mirë në skuadër".

Lojtari gjigand tashmë ka shumë tifozë nga zona e Uashingonit.

"Ming Ming është lojtar i shkëlqyer. Ai është rreth 30 centimetra më i gjatë se lojtarët e tjerë, pra i ka të gjithë nën vete", thotë një tifoz.

Anëtari tjetër i ekipit, Randy Gill, thotë se lojtari kinez ka mjaft potencial.

"Ai vazhdon të perfeksionohet si lojtar. I kap shumë shpejt elementet e basketbollit dhe njeh mirë lojën. Tani e rëndësishme është pozicionimi i tij në fushë, dhe mendoj paskësaj, do të shohim se ai do të vazhdojë të përmirësohet më tej".

Për të ndihmuar në sezonin e rregullt final të skuadrës Nighthawks sollën ish-lojtarin e NBA-it Xhorxh Muresan nga Rumania, që është 2 metra e 31 centimetra, vetëm 5 centimetra më i shkurtër se Suni. Këtë sezon, Muresan e ka udhëzuar Sunin, duke e mësuar me hollësitë e eksperiencës së tij.

"Muresan më mësoi si të pasoj topin. Kam mësuar shumë prej tij. Pjesëtarët e tjerë të ekipit nuk kanë peshën dhe gjatësinë time, prandaj mund të mos i kuptojnë nevojat e mija. Kaq i madh sa jam, unë e harxhoj më shpejt energjinë se sa shumica e njerëzve", thotë Suni.

Edhe dy lojtarë të tjerë, këtë herë afrikanë, u përfshinë në librin Guines të Rekordeve. Ata janë sudanezi Deng D’Awol nga Sudani, 2 metra e 13 centimetra dhe nigeriani Ayo Adigun, 2 metra dhe 15 centimetra.

Suni thotë se nuk ja kishte marrë mendja se një ditë ai do të hynte në Librin Guines të rekordeve.

"Nuk e dija fare se ekzistonte libri Guines i Rekordeve, dija vetëm që lojtarët më të gjatë përfshihen në lojë", thotë ai.

Suni e ka mësuar shpejt anglishten dhe thotë se po i pëlqen eksperienca e basketbollit në Shtetet e Bashkuara.

"Më pëlqen shumë basketbolli dhe jam i lumtur, shumë i lumtur"...

...Dhe nuk është aspak për t’u çuditur, që Sun Ming Ming dhe ekipi Nighthawks e fituan lojën me një kosh të gjuajtur nga lart, pikërisht në momentin e fundit. //ze//

XS
SM
MD
LG